...
Kompania “MABCO Constructions SA” në pronësi të miliarderit shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, garanton se do të rifillojë punën me të gjitha kapacitetet e veta për të përfunduar sa më parë Aeroportin e Vlorës, pasi Gjykata e Lartë i dha të drejtë në përballjen me aksionarin tjetër.
Ornela Çuçi, nga Mabco, u shpreh se arritja e kësaj gjendjeje të aeroportit vjen si pasojë e vendimeve të gjykatave në vend, duke i cilësuar ato si “paradoksale”.
“Më në fund u kthye normaliteti në aeroport. Ajo që pritej të ndodhte dhe duhej të ndodhte që në momentin e parë. Nuk duhej të kishim ardhur kurrë në këtë pikë, i gjithë sherri ndodh për një 47 për qind të aksioneve. Nuk kishte asnjë arsye të ndodhte një shpronësim praktik i pronarit. Arsyeja pse erdhëm në këtë pikë ishte paradoksi i vendimeve të gjykatave shqiptare. Gjykata e Lartë e solli në një normalitet të plotë”, tha ajo.
E pyetur se kur do të përfundojnë punimet në këtë aeroport dhe kur do të inaugurohet, Çuçi nuk dha asnjë datë konkrete, por theksoi se “Mabco” do të punojë për ta hapur këtë aeroport sa më shpejt të jetë e mundur.
“Nuk mund ta them. Sot është zbardhur në një farë mënyre, por nuk është zbardhur i plotë vendimi dhe, me t’u dhënë mundësia që Mabco të hyjë në aeroport, do të shohim pastaj. Por një gjë është e sigurt, janë rreth 200 punëtorë në kantier aktualisht dhe të gjitha problematikat që ndodhën gjatë kësaj kohe, me gjithë faktin që punimet në aeroport janë bërë ndërkohë që nuk ka pasur energji, nuk ka pasur ujë, asnjë mundësi për të punuar, Mabco ka kapërcyer çdo gjë për ta bërë të mundur”, tha ajo.
Më tej, përfaqësuesja e kompanisë së Behgjet Pacollit theksoi se aeroporti nuk do të jetë sezonal, por do të operojë gjatë 12 muajve të vitit. Ajo gjithashtu u shpreh se ky aeroport do të ketë linjë të drejtpërdrejtë Vlorë-Nju Jork, për shkak të punimeve të bëra nga Mabco.
“Është bërë një ndërhyrje nga shoqëria Mabco në projektin e aeroportit, duke shtuar edhe një kat shtesë, duke shtuar edhe një pjesë të aeroportit në mënyrë të tillë që fluturimi i parë që do të duhet të ndodhë nga aeroporti është ai me Nju Jorkun. Vlorë-Nju Jork”, tha ajo.