...
Izraeli ka deklaruar se ka vrarë komandantin e ri të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Odeh, gjatë një sulmi ajror në Gaza City të martën.
Sipas autoriteteve shëndetësore lokale dhe dëshmitarëve, të paktën tre palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një ndërtesë banimi u godit në një nga zonat më të frekuentuara tregtare të qytetit.
Ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet thanë se sulmi ishte rezultat i një operacioni disa mujor të inteligjencës për të gjurmuar lëvizjet e Odeh dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ndërtesa e goditur ndodhej në qendër të qytetit dhe u shënjestrua me disa raketa pothuajse njëkohësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe panik mes banorëve.
Sipas dëshmitarëve, zona ishte e mbushur me qytetarë që po përgatiteshin për festën e Bajramit, kur ndodhi sulmi.
Nga ana e saj, Izraeli e cilësoi Odeh si një nga “arkitektët e masakrës së 7 tetorit”, duke e akuzuar për përfshirje në vrasje dhe rrëmbime gjatë sulmit që ndezi luftën në Gaza.
Ky sulm vjen pavarësisht armëpushimit të shpallur në tetor, i cili vazhdon të jetë i brishtë dhe shpesh i shkelur nga të dyja palët.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, që kontrollohen nga Hamasi, më shumë se 900 persona janë vrarë gjatë periudhës së armëpushimit, ndërsa Izraeli thotë se operacionet e tij synojnë anëtarë të Hamasit dhe infrastrukturën e tij ushtarake.
Konflikti në Gaza ka shkaktuar tashmë dhjetëra mijëra viktima dhe zhvendosje masive të popullsisë, ndërsa negociatat për fazat e ardhshme të planit të paqes mbeten të bllokuara.