...
Me një vendim të pazakontë për praktikën gjyqësore shqiptare, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë urdhëroi fshirjen e artikujve të publikuar nga të paktën 10 media online, pa praninë e palëve në seancë dhe përpara se çështja të shqyrtohej në themel.
Vendimi nuk kërkon korrigjimin apo ndryshimin e titujve të konsideruar “denigrues”, por kërkon heqjen e plotë të materialeve nga portalet dhe bllokimin e aksesit publik ndaj tyre deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Pikërisht ky element po konsiderohet nga ekspertë të medias dhe organizata të gazetarëve si një precedent i parë i kësaj natyre dhe shqetësues për lirinë e shprehjes në Shqipëri, me rrezik për të krijuar klimë autocensure në redaksi.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë u mor ndaj 10 mediave online dhe 1 gazetari, pas një padie të ngritur nga biznesmeni Dionis Teqja.
Padia e biznesmenit lidhet me raportime mediatike që e identifikonin atë si “të shpallur në kërkim”, ndërsa çështja në fjalë kishte të bënte me një procedurë civile/tregtare dhe jo penale.
Gjykata urdhëroi heqjen dhe bllokimin e materialeve të publikuara deri në përfundimin e shqyrtimit në themel të çështjes. Por ajo që ka ngritur më shumë debat nuk është vetëm padia, por mënyra si gjykata ndërhyri ndaj mediave.
Vendimi u mor pa një seancë publike dhe pa dëgjuar palët, ndërsa urdhri nuk kërkon korrigjim apo përgënjeshtrim të informacionit, por fshirjen e plotë të artikujve dhe bllokimin e aksesit publik ndaj tyre.
Ekspertë të medias paralajmërojnë se raste të tilla krijojnë klimë autocensure në redaksi, pasi mediat mund të shmangin publikimin e investigimeve apo raportimeve sensitive nga frika e padive të kushtueshme dhe urdhrave gjyqësorë për heqje të menjëhershme të përmbajtjes.
Sipas drejtuesit ekzekutiv të Qendrës ResPublica dhe njëkohësisht avokatit Dorian Matlija, vendimi i menjëhershëm i gjykatës është problematik edhe nga pikëpamja procedurale.
“Ky rast i ngjan një censure paraprake. Mesa di unë është rasti i parë i këtij lloji në Shqipëri, kjo pasi gjykata duhet të kishte prezente palën paditëse dhe palën e paditur. Duhej të zhvilloheshin seancat paraprake dhe në themel të jepej vendimi”, u shpreh avokati Dorian Matlija.
Presioni financiar mbi mediat
Përtej debatit mbi vendimin e gjykatës për fshirjen e artikujve, një tjetër element i padisë që ka ngritur shqetësime mes mediave, gazetarëve apo edhe ekspertëve të fushës, lidhet me vlerën e lartë të dëmshpërblimit të kërkuar.
Në padinë civile të ngritur nga biznesmeni Dionis Teqja, kërkohet rreth 680 mijë euro në total ndaj dhjetë mediave online, me shuma individuale që variojnë nga 20 mijë deri në 500 mijë euro.
Ekspertë të medias dhe juristë paralajmërojnë se kërkesa të tilla financiare mund të krijojnë efekt frikësues për redaksitë, sidomos në rastet e raportimeve investigative apo publikimeve që lidhen me figura të njohura publike dhe biznesi. Sipas tyre, edhe përpara një vendimi përfundimtar të gjykatës, vetë përmasat e dëmshpërblimit mund të ndikojnë në mënyrën se si mediat raportojnë në të ardhmen.
Sipas avokatit Dorian Matlija, shumat e kërkuara janë jashtë praktikës së zakonshme të gjykatave shqiptare në raste të ngjashme.
“Masa e dëmshpërblimit e kërkuar është e tepërt, e frikshme. Në gjyqet civile jepen 500 mijë lekë – 1 milion lekë të vjetra sipas jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut”, u shpreh Matlija.
Rasti ka sjellë reagime edhe nga organizatat që mbrojnë lirinë e medias. SafeJournalists Network ka ngritur shqetësime për proporcionalitetin e masës dhe ndikimin që ajo mund të ketë mbi lirinë e shprehjes, duke theksuar se kufizimet ndaj përmbajtjes mediatike duhet të jenë të nevojshme, proporcionale dhe në përputhje me standardet europiane.
Ndërkohë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e ka konsideruar vendimin një rast të pazakontë që cenon pavarësinë editoriale dhe krijon precedent problematik për të drejtën e mediave për të publikuar dhe qarkulluar informacion me interes publik.
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka përsëritur në disa raste se dëmshpërblimet e larta ndaj mediave në çështjet e shpifjes mund të krijojnë “efekt frenues” ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë investigative./shteg