... Nami.al

Donald Veshaj, aplikim për kullë 33 kate në Vlorë

Një tjetër emër publik i është shtuar listës së personazheve që po hyjnë në sektorin e ndërtimit. Bëhet fjalë për Donald Veshaj, i njohur nga programi televiziv “Big Brother”, i cili pas përfshirjes në projekte mediatike, ka ndërmarrë një hap të ri në biznes.

Në mars të vitit 2024, Veshaj, së bashku me Glenis Çobo, themeluan shoqërinë “DGC” sh.p.k., me objekt aktiviteti në fushën e ndërtimit dhe investimeve në këtë sektor.

Zhvillimet në këtë kompani vijuan në dhjetor të vitit 2024, kur shoqëria “Anchor Investment”, në pronësi të Albi Shyti, bleu 50 për qind të aksioneve të “DGC” për një vlerë prej 5 mijë euro. Pas këtij ndryshimi në strukturën e pronësisë, tre ortakët depozituan një aplikim për ndërtimin e një objekti të madh në qytetin e Vlorës.

Sipas dokumenteve të konsultuara nga Boldnews, projekti parashikon ndërtimin e një objekti rezidencial dhe hotelerie me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë. Kërkesa për këtë zhvillim u përfshi në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit të datës 29 prill 2026, konkretisht në pikën 50.

Për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar nëse kjo leje është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama. Vendimmarrja pritet të bëhet publike nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit në javët në vijim.

Detaje të tjera mbi projektin, si vendndodhja e saktë apo afatet e ndërtimit, nuk janë ende të disponueshme. Megjithatë, aplikimi për një kullë 33 kate në një nga qytetet kryesore bregdetare sinjalizon një investim me përmasa të konsiderueshme në tregun e ndërtimit.