...
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se ka ndaluar së kontaktuari me të huajt, të cilët, sipas tij, i dëshirojnë të keqen Serbisë, duke iu referuar Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos.
“E shihni që kam pushuar së foluri për Marta Kos. Nuk do të them asnjë fjalë për të”, tha Vuçiç, raporton N1.
Pyetjes se ai duhet të flasë ende me të, duke qenë se është Presidenti i Serbisë dhe Kos është Komisionerja BE-së përgjegjës për zgjerimin, Vuçiç iu përgjigj:
“Dua… ‘Ku je, si je, çfarë po bën… Çfarë të thonë ata nga Lubjana që të duan kaq shumë?’ Për çfarë tjetër duhet të flas? Për çfarë po bëjnë miqtë e mi?
Për çfarë duhet të flas me ata që gënjejnë për Serbinë? Për çfarë duhet të flas? Ka shumë arsye personale dhe gjithçka tjetër. Sidoqoftë, është e rëndësishme për mua që Serbia të jetë në rrugën evropiane”, tha ai.
Kujtojmë që pak ditë më parë Bashkimi Evropian pezulloi mbështetjen financiare për Serbinë pas paralajmërimeve që lëshoi ndaj Beogradit për ndërhyrjet në sistemin gjyqësor.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos theksoi se vendi nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetje financiare nga Plani i Rritjes, derisa të adresojë të gjithë shqetësimet e raportuara në gjyqësor.
Marta Kos vuri në dukje se një vend që është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian “nuk mund të ulet në dy karrige dhe se në një moment Serbia do të duhet të bëjë një zgjedhje”.