...
Ditën e sotme Kryeministri Edi Rama, ka qenë në Durrës ku edhe u preznantua një program strategjik sa i përket forcimit të pushtetit vendor dhe mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Projekti i cili mbart emrin “EU4Municipalities II”, ka nisur zyrtarisht sot siparin e tij. Dhe ky program do të mbështesë bashkitë me investime konkrete.
Gjatë fjalës së tij Rama është ndalur te anëtarësimi i Shqipërisë në BE, dhe ndihma e madhe që pritet t’i jepet vendit përmes këtij programi të “personalizuar” të qeverisjes vendore, pra bashkive.
Kryeministri është ndalur po ashtu, edhe te sfidat e qeverisjes vendore, ku mes të cilave ka përmendur digjitalizimin, i cili sipas tij, ndryshe nga përdorimi masiv në pushtetin qëndror nuk është i tillë në pushtetin vendor.
Më tej ai me shaka tha se do të kërkonin ndihmë nga partnerët gjermanë, për të cilët tha se në fakt janë më “prapa” se ne sa i përket digjitalizimit.
Fjala e Ramës:
Megjithëse ndjesë që po e them këtë, partnerët gjermanë në digjitalizim janë prapa nesh. Po, akoma punojmë me faks nëpër ministri në Gjermani.
E dini ju apo jo?
Dhe do gjejmë, përtej shakasë, që në këtë rast është shumë më shumë se gjysma e të vërtetës, do gjejmë mënyrën për të adresuar këtë problem të digjitalizimit dhe duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti kryetarëve të Bashkive këtu” është shprehur Rama ndër të tjera.
Edi Rama: I dashur Silvio, Zoti Demo, i dashur zëvendës ambasador i Gjermanisë dhe të tjerë miq të pranishëm! Të dashur miq dhe kolegë të bashkive të Shqipërisë të mbledhur sot këtu në këtë takim, i cili lidhet me një projekt që nuk mishëron thjesht një mbështetje financiare, por përbën një investim strategjik të Bashkimit Europian për të nxitur rritjen e kapaciteteve të bashkive në horizontin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
E tha ambasadori, që ky program është një program i cili lidhet me modernizimin e institucioneve tona vendore dhe me mundësinë që përmes tij institucionet të rrisin kapacitetet e tyre njerëzore, që janë edhe problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe dhe i kohëve që vijnë në rast se nuk fokusohemi me të gjithë forcën sot tek adresimi i tij.
Me këtë dua të them që Bashkimi Europian edhe anëtarësimi në familjen europiane janë një bekim për Shqipërinë, por nga ana tjetër janë dhe një sfidë e madhe posaçërisht në nivelin vendor, pasi konsolidimi i nivelit të qeverisjes vendore është pjesë e pa ndarë dhe e patjetërsueshme e mënyrës së funksionimit dhe për mirëfunksionimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe një vendi anëtar.
Një pjesë e konsiderueshme e mbështetjes europiane për vendet anëtare lidhet me mbështetjen në nivelin vendor dhe një sfidë e konsiderueshme për vendet anëtare është që të kenë aftësinë të thithin mbështetjen e Bashkimit Europian përmes dijes se si ta bëjnë këtë dhe në këtë pikë, ky program është kyç.
Nuk janë 11 milionë eurot e para thjesht si një shumë, por është i gjithë instrumenti dhe mënyra se si është i ndërtuar, që duhet t’i bëjë të gjitha bashkitë jo vetëm të interesuara, por edhe plotësisht të angazhuara që të kenë akses në këtë instrument.
Unë kam besim që me mbështetjen e aktorëve të përfshirë në këtë dhe posaçërisht me mbështetjen e miqve të GIZ-it që kanë një kontribut të çmuar në ecurinë e pushtetit vendor në Shqipëri, pikërisht sepse përfaqësojnë një burim dijeje përveçse një mbështetje financiare të shtetit gjerman, por pa dyshim edhe me angazhimin në vetë të parë të ministrit të Pushtetit Vendor, i cili vjen nga një eksperiencë shumë e suksesshme si kryetar bashkie, ne do të mund të bëjmë më të mirën dhe të nxjerrim nga ky potencial, maksimumin e mundshëm për të gjitha bashkitë tona.
Dhe në fund duhet ta mbyll me komponentin i cili është gjithmonë e më strategjik në qeverisjet e vendeve dhe që ka një peshë shumë të madhe në qeverisjen qendrore, por që për arsye që për mua janë të kuptueshme ose dhe të tjera që mbase unë nuk jam gjendje t’i kuptoj, në nivelin vendor është një komponent shumë i dobët dhe ky është digjitalizimi.
Kemi një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikueshme mes peshës që ka digjitalizimi në nivelin qendror dhe në shërbimet publike qendrore dhe e peshës që ka në nivelin vendor dhe në shërbimet vendore. Arsyet, e thashë, disa mbase i kuptoj, të tjera mbase nuk i kuptoj por kemi folur gjere e gjatë me ministrin dhe njëkohësisht do të flasim edhe me përfaqësinë e Bashkimit Europian, do flasim edhe me partnerët gjermanë edhe me të tjerë.
Megjithëse ndjesë që po e them këtë, partnerët gjermanë në digjitalizim janë prapa nesh. Po, akoma punojmë me faks nëpër ministri në Gjermani.
E dini ju apo jo? Dhe do gjejmë, përtej shakasë, që në këtë rast është shumë më shumë se gjysma e të vërtetës, do gjejmë mënyrën për të adresuar këtë problem të digjitalizimit dhe duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti kryetarëve të Bashkive këtu, unë ju them, bëni më të mirën që ta përdorni këtë projekt, jo si një mundësi financimi, por si një mundësi pikërisht për të krijuar një eksperiencë, për të fuqizuar kapitalin njerëzor, për të përgatitur brenda bashkive akoma më mirë, ato bërthamat e vogla që keni filluar të ngrini në funksion të projekteve dhe të financimeve nga Bashkimi Europian. Në këtë aspekt ky projekt është i pazëvendësueshëm.
Ju falënderoj shumë për ardhjen deri këtu!
Ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe bashkohem me zotin Demo në falënderimet për të gjithë ata që ai i numëroi me shumë vëmendje, por edhe me shumë mençuri, sepse ata nuk do e harrojnë gjithë atë listë të gjatë falenderimesh edhe do ta ketë derën hapur, për të kërkuar projekte të tjera.
Shumë faleminderit!