... Nami.al

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, Abdixhiku: Do të garojmë së bashku me Vjosa Osmanin

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se është arritur dakordim që në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit të garohet së bashku me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Ai tha se me votim brenda trupit partiak është vendosur që të shtunën të thirret Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, me qëllim finalizimin e këtyre proceseve.

“U dakorduam të formalizojmë me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar ai në një prononcim të shkurtër për media pas mbledhjes me kryetarët e degëve të LDK-së.

Bashkëpunimi i LDK-së me Vjosa Osmani, sipas Abdixhikut, është në një listë të përbashkët brenda LDK-së.

“S’ka parti të tjera brenda listës së LDK-së, mund të kemi koalicione të vogla me parti të tjera, tash po flasim për një bashkëpunim brenda LDK-së”, sqaroi ai.

Ai ka shtuar se ky bashkim nënkupton ndërtim të raporteve mbi bazën e mirëbesimit dhe se nuk bëhet fjalë për vendosje kushtesh mes palëve.

“Asnjë kusht me Vjosën nuk e kemi pasur. Nuk është relacion kushtëzimesh, është relacion i kuptimit të nevojës së përbashkimit të të gjithëve brenda LDK-së, dhe ky nënkupton që ne ndërtojmë relacione mbi mirëbesim”, ka thënë ai.

I pyetur nëse Osmani do të jetë bartëse e listës së LDK-së, Abdixhiku potencoi se nuk e ka problem një gjë të tillë.

Megjithatë, ai tha se e sheh Osmanin si kandidate “të duhur” për postin e presidentes.

“Pa asnjë problem. Besoj se Vjosa Osmani duhet të jetë kandidatja e shkëlqyeshme dhe më e duhur për presidente. Populli e dëshiron një gjë të tillë dhe jam i gatshëm t’ia mundësojmë popullit një kandidaturë të tillë. Renditja në listë nuk ka rëndësi”, ka shtuar ai.

Sipas Abdixhikut, në takim është diskutuar edhe për “bashkimin e madh” për të cilin partia është angazhuar.

Ndryshe, Osmani deklaroi se nuk ka kërkuar të jetë në katër emrat e parë në top 10-shen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke potencuar se nuk ka kërkuar asnjë pozitë nga askush.

Osmani, para gazetarëve, sërish refuzoi të konfirmojë nëse do të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit dhe për cilën pozitë mund të jetë në garë.

“Nuk është mirë të spekulohet. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush. Kurdo që kemi diçka për t’ju thënë, do t’jua themi”, deklaroi ajo.