...
Marina e Shteteve të Bashkuara po rrit përdorimin e inteligjencës artificiale për të zbuluar minat detare iraniane në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Sipas raportimeve, kompania amerikane Domino Data Lab ka fituar një kontratë deri në 100 milionë dollarë për të zhvilluar teknologji që përshpejton identifikimin e minave nënujore dhe përshtatjen ndaj kërcënimeve të reja, përcjell Reuters.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar më herët se marina amerikane është angazhuar në pastrimin e minave në këtë zonë strategjike, ndërsa tensionet me Iranin vazhdojnë të ndikojnë në sigurinë e furnizimeve globale me energji.
Teknologjia e re synon të trajnojë dronët nënujorë për të njohur lloje të reja minash në vetëm disa ditë, një proces që më parë mund të zgjaste deri në gjashtë muaj.
“Gjuetia e minave dikur ishte një detyrë për anijet. Tani po bëhet një detyrë për inteligjencën artificiale”, u shpreh drejtori operativ i kompanisë, Thomas Robinson.
Sistemi integron të dhëna nga sensorë të ndryshëm, përfshirë sonarët dhe sistemet vizuale, duke i mundësuar marinës të monitorojë performancën e modeleve të inteligjencës artificiale dhe të përmirësojë shpejt saktësinë e tyre në terren.
Programi është pjesë e projektit për operacionet detare me mësim të përshpejtuar, i cili synon ta bëjë zbulimin e minave më të shpejtë, më të saktë dhe më pak të varur nga ndërhyrja njerëzore.
Sipas kompanisë, teknologjia e re mund të reduktojë ndjeshëm kohën e reagimit në situata krizash, duke i lejuar forcat amerikane të përshtaten brenda pak ditësh ndaj kërcënimeve të reja në zona të ndjeshme si Ngushtica e Hormuzit.