...
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, ka reaguar pas skualifikimit nga gara për kryetar të PD-së të të gjithë kandidatëve, duke mbetur në garë vetëm lideri aktual, Sali Berisha.
Salianji shprehet në postimin e tij në rrjetet sociale se Berisha dhe njerëzit që e rrethojnë i shërbejnë vetëm interesave të kryetarit aktual të partisë. Ai ngre shqetësimin se PD është duke shkuar drejt shuarjes.
Sipas tij, Berisha është një lider tashmë i konsumuar, i hetuar. i izoluar dhe i paaftë për të bashkuar opozitën. Në fund, Salianji iu bën thirrje demokratëve, që të mos heshtin përballë kësaj situate.
“Standardi mizerabël se si Berisha po trajton Partinë Demokratike shpreh mungesën e thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve që prej 13 vitesh dergjen në opozitë.
Shpërfaqja e këtij shtetari deri në degradim total me ndasi, me idiotësi, me miq dhe armiq imagjinar…. me rrena dhe gënjeshtra të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, shprehin humbjen e “kështjellës” së fundit që ai kishte arritur të fshinte: burrërinë.
Ai dhe rrethi që i kacavirret abuzon me besnikërinë dhe vlerat e demokratëve, duke i vendosur përballë një presioni moral: të heshtin “për respekt të moshës”, të heshtin përballë “ndereve që i janë bërë”, të heshtin para shuarjes së PD për shkak të lidhjes me të.
Kush mban përgjegjësi për humbjen më të thellë që nga 1997, me 11 Maj 2025? Kush i bëri listat? Kush hartoi programin banal sikur të ishte viti 1995? Kush e drejtoi fushatën?
Dhe pyetja më e rëndësishme: si do të fitojë Partia Demokratike?
Edhe demokratët më të fandaksur e dinë që me Sali Berishën dhe këtë lidership, nuk do fitohet kurrë.
Çdo ditë që ai qëndron në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë është një humbje për opozitën dhe për Shqipërinë.
Koha punon vetëm për ndryshimin. Sali Berisha nuk mund ta përfaqësojë kurrë atë.
Ai është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën.
Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu.
Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përfaqësim, pa përgjegjësi.
Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson Partinë Demokratike dhe e largon nga qytetarët.
Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, nuk e meriton të jetë! Ajo duhet të rikthehet në një parti masash dhe pushteti. Ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh!
PD nuk e meriton të shuhet për shkak të liderit të saj.
Llogaritë i kanë bërë gabim, veçanërisht me mua dhe shumicën e demokratëve.
Koha thërret demokratët të mos heshtin”, shkruan Salianji në rrjetet sociale.
Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike pritet të jenë thjesht një referendum, ku kreu aktual Sali Berisha mund të konfirmohet sërish si lideri i partisë. Kjo, pasi sot në 1 maj, edhe dy kandidatët e tjerë, që synonin të merrnin pjesë në këtë garë, Vladimir Mulaj e Mereme Sela nuk janë kualifikuar si kandidatë, pasi nuk plotësojnë kushtet e vendosura.
Sela dhe Mulaj nuk kanë përmbushur kriteret, përfundim i sjellë pas shqyrtimit të bërë nga KOKOE. Sipas udhëzimit të PD, përveç integritetit të figurës kandidati duhet të ketë patur dhe një angazhim të paktën 10-vjeçar në PD. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.