...
Në një kohë kur në Shqipëri po rritet numri i punonjësve të huaj, kryesisht nga Filipinet, një rast i dyshimtë ka hedhur dritë mbi rreziqet e skemave mashtruese të punësimit ndërkombëtar.
Autoritetet në Aeroporti Ndërkombëtar Mactan-Cebu kanë ndaluar pesë shtetas filipinez, të dyshuar si viktima të një skeme trafikimi, të cilët synonin të udhëtonin drejt Shqipërisë për të punuar si pastrues.
Sipas njoftimit të bërë nga Komisioneri i Byrosë së Imigracionit, Joel Anthony Viado, grupi përbëhej nga katër gra dhe një burrë, të moshës nga fundi i të 30-ave deri në mesin e të 40-ave. Ata u ndaluan më 12 prill teksa përpiqeshin të hipnin në një fluturim të kompanisë Cathay Pacific.
Fillimisht, pasagjerët deklaruan se ishin punonjës të sektorit privat dhe se do të udhëtonin drejt Tajlandës për të marrë pjesë në festivalin e njohur Songkran. Megjithatë, dyshimet e oficerëve të emigracionit çuan në një kontroll më të detajuar, gjatë të cilit ata pranuan destinacionin e tyre të vërtetë, Shqipërinë.
Hetimet zbuluan se secili prej tyre kishte paguar rreth 90 mijë peso filipinase për dokumentat, ndërsa ishin udhëzuar nga një rekrutues të kalonin fillimisht nga Tajlanda, ku do të prisnin pajisjen me viza dhe organizimin e udhëtimit drejt vendit tonë.
Komisioneri Viado e dënoi këtë skemë, duke paralajmëruar për një rikthim të tentativave të trafikimit që përdorin Shqipërinë si destinacion pune.
“Mes vështirësive ekonomike në rritje, qytetarët filipinas vazhdojnë të bien pre e ofertave mashtruese për punësim jashtë vendit,” u shpreh ai, duke shtuar se kontrollet në pikat kufitare do të mbeten të rrepta për të parandaluar raste të ngjashme.
Pesë personat e ndaluar janë shoqëruarpranë autoriteteve përkatëse kundër trafikimit për hetime të mëtejshme dhe për të identifikuar rrjetin e rekrutuesve që qëndron pas kësaj skeme./Newsinfo