...
Mbreti Charles III në Kongresin e Shteteve të Bashkuara
Fjalimi historik i Mbretit Charles III në Kongresin e Shteteve të Bashkuara u cilësua shumë më tepër se sa një ceremoni simbolike në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.
Vizita e monarkut britanik në Washington kishte një mision të qartë diplomatik: të forcojë të ashtuquajturën “marrëdhënie speciale” mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve, në një moment kur raportet mes dy vendeve janë vënë në provë nga divergjencat për çështje të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Në një atmosferë të ngarkuar politikisht, ku i pranishëm ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump, Charles përdori një kombinim të kujdesshëm diplomacie, simbolizmi dhe humori për të përcjellë mesazhe që u interpretuan ndryshe nga palët politike amerikane.
Pavarësisht hijeve të dyshimit në fjalim, ofensiva e Mbretit duket se funksionoi me Presidentin. Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shfaq i kënaqur:
“Është një person fantastik. Janë njerëz të jashtëzakonshëm dhe është një nder i vërtetë”, deklaroi Presidenti.
Pranimi i një kohe të pasigurt
Që në nisje të fjalimit, Mbreti pranoi hapur se bota po kalon një periudhë të trazuar. Ai përmendi konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Evropë, duke nënvizuar sfidat që po testojnë unitetin e aleatëve tradicionalë.
Por përtej krizave globale, Charles adresoi edhe vetë marrëdhënien britaniko-amerikane, duke pranuar se të dy vendet nuk kanë qenë gjithmonë në një linjë politike.
Me referencë ndaj frymës së vitit 1776, vitit të pavarësisë amerikane, ai tha se “mund të biem dakord që jo gjithmonë biem dakord”, një formulim që u pa si një pranim realist i tensioneve aktuale.
Megjithatë, mesazhi i tij kryesor ishte se kur SHBA-të dhe Britania bashkëpunojnë, ndikimi i tyre shkon përtej kufijve kombëtarë dhe ndikon në rendin ndërkombëtar.
Referencat kushtetuese që ndezën sallën
Një nga momentet më të forta të fjalimit erdhi kur Charles foli për traditën britanike të kufizimit të pushtetit përmes ligjit, duke përmendur Magna Carta si bazën historike të parimit të kontrollit dhe balancës së pushtetit, koncept që më vonë u bë shtyllë e Kushtetutës amerikane.
Ky segment u prit me ovacione të forta, sidomos nga demokratët, të cilët prej kohësh kanë akuzuar Trump për tejkalim kompetencash dhe për tendenca autoritare.
Për shumë analistë politikë, ky ishte një mesazh i tërthortë, por i qartë, mbi rëndësinë e kufizimit të pushtetit ekzekutiv dhe respektimit të institucioneve demokratike.
Në fund të fjalimit, një tjetër fjali e tij – se “fjalët e Amerikës kanë peshë, por veprimet e saj kanë edhe më shumë rëndësi” – u interpretua po ashtu si një thirrje për përgjegjësi politike.
NATO dhe aleanca perëndimore në fokus
Në një kohë kur aleanca transatlantike përballet me sfida të reja, Charles III e përdori fjalimin për të rikujtuar rëndësinë e NATO-s dhe bashkëpunimit SHBA-Evropë.
Duke cituar ish-sekretarin amerikan të shtetit Henry Kissinger, ai foli për partneritetin strategjik të Atlantikut dhe kujtoi se aktivizimi i vetëm i nenit 5 të NATO-s ndodhi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Mbreti solli edhe një element personal në këtë pjesë të fjalimit, duke kujtuar shërbimin e tij pesëvjeçar në marinën britanike, një përgjigje e tërthortë edhe ndaj kritikave të mëparshme të Trump ndaj forcave detare britanike.
Në të njëjtën kohë, ai lidhi sigurinë me çështjen e ndryshimeve klimatike, duke përmendur shkrirjen e akullnajave në Arktik si një sfidë që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar.
Heshtja për Epstein
Një nga temat më të ndjeshme që pritej të trajtohej ishte çështja e Jeffrey Epstein dhe viktimave të tij.
Kjo pritshmëri lidhej edhe me faktin se emri i vëllait të Mbretit, Prince Andrew, ka qenë i lidhur me skandalin.
Por Charles III shmangu çdo referencë direkte ndaj Epstein, duke bërë vetëm një përmendje të përgjithshme për “mbështetjen ndaj viktimave të plagëve sociale që ekzistojnë në të dy shoqëritë”.
Për kritikët dhe mbështetësit e viktimave, kjo u konsiderua një mundësi e humbur për të dhënë një mesazh më të fortë moral.
Humori si armë diplomatike
Pavarësisht peshës politike të vizitës, Charles III përdori shpesh humorin për të ulur tensionet.
Ai hapi fjalimin me një referencë ndaj Oscar Wilde, duke rikujtuar shprehjen se Britania dhe Amerika kanë gjithçka të përbashkët “përveç gjuhës”.
Ai bëri shaka edhe me traditat parlamentare britanike dhe me historinë e pavarësisë amerikane, duke ironizuar idenë se nuk kishte ardhur për të rikthyer sundimin britanik mbi Amerikën.
Këto momente sollën të qeshura dhe krijuan një atmosferë më të relaksuar në sallë.
Përmes mesazheve mbi demokracinë, aleancat strategjike dhe përgjegjësinë politike, Mbreti synoi të rikujtojë themelet historike që lidhin dy vendet.
Mbetet për t’u parë nëse kjo ofensivë e butë diplomatike do të arrijë të forcojë realisht aleancën anglo-amerikane, apo do të mbetet vetëm një moment simbolik në histori.