... Nami.al

Detajet e atentatit në Lezhë: Mbi 30 plumba drejt makinës, autorët vepruan me dy automjete

Detaje të reja janë zbardhur mbi atentatin e së dielës në Lezhë, ku mbetën të vrarë brenda në makinë burrë e grua.

Kanë qenë mbi 30 plumba të qëlluar drejt makinës së Kreshnik Mujecit dhe gruas së tij.

Autorët dyshohet se kanë vepruar me dy automjete.

Ngjarja ka ndodhur pak minuta larg banesës së viktimës. 39-vjeçari ka qenë duke lëvizur në rrugën që të çon drejt banesës së tij.

“Rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë, në rrethana ende të paqarta gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Audi, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, që udhëtonte sëbashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje.

Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë  kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi Policia e Lezhës për ngjarjen e rëndë.

39-vjeçari, i cili mbeti viktimë e një atentati sot brenda makinës së tij, ku udhëtonte me bashkëshorten në Balldren të Lezhës, është një emër i njohur për policinë. Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, Lin dhe Jozef Mujeci, akuzohen se vranë në 6 tetor të vitit 2016 Gegë Mëhillin (i njohur edhe si Genc Mhillaj apo Gent Pjetri).

Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit. Njëri prej vëllezërve, Jozefi, u arrestua një ditë pas ngjarjes kriminale, teksa ishte 21 vjeç.

Në tetor 2017, Kreshnik Mujeci dhe vëllai i tij, Jozef Mujeci janë arrestuar si të dyshuar për “vrasjen me paramendim” të shtetasit Genc Mhillaj, i cili pasi është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016. Pasi janë dërguar në gjykim për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”, më nëntor 2018, janë deklaruar të pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës.

Në të njëjtin vendim është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i tyre. Prokuroria e ka ankimuar vendimin, ankim që është rrëzuar nga Apeli një vit më vonë. Ndërsa më tetor 2024, Gjykata e Lartë e ka kthyer çështjen për rigjykim në Apel.

U vra në makinë me gruan, zbardhet e kaluara e errët e Kreshnik Mujecit: Në 2016 u arrestua si i dyshuar për vrasje

Sipas policisë, ngjarja ndodhi pas një sherri të një dite më parë të asaj kohe. Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mhillaj transportonte miell dhe e qëlluan me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.