... Nami.al

Atentati me dy viktima në Lezhë, policia jep detajet zyrtare

Policia e Lezhës ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen e rëndë, ku mbetën të vrarë dy persona, burrë e grua, brenda një makine pas një atentati. Viktimat janë 39-vjecari Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij.

“Rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë, në rrethana ende të paqarta gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Audi, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, që udhëtonte sëbashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje.

Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë  kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.

39-vjeçari, i cili mbeti viktimë e një atentati sot brenda makinës së tij, ku udhëtonte me bashkëshorten në Balldren të Lezhës, është një emër i njohur për policinë. Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, Lin dhe Jozef Mujeci, akuzohen se vranë në 6 tetor të vitit 2016 Gegë Mëhillin (i njohur edhe si Genc Mhillaj apo Gent Pjetri).

Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit. Njëri prej vëllezërve, Jozefi, u arrestua një ditë pas ngjarjes kriminale, teksa ishte 21 vjeç.

Në tetor 2017, Kreshnik Mujeci dhe vëllai i tij, Jozef Mujeci janë arrestuar si të dyshuar për “vrasjen me paramendim” të shtetasit Genc Mhillaj, i cili pasi është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016. Pasi janë dërguar në gjykim për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”, më nëntor 2018, janë deklaruar të pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës.

Në të njëjtin vendim është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i tyre. Prokuroria e ka ankimuar vendimin, ankim që është rrëzuar nga Apeli një vit më vonë. Ndërsa më tetor 2024, Gjykata e Lartë e ka kthyer çështjen për rigjykim në Apel.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi pas një sherri të një dite më parë të asaj kohe. Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mhillaj transportonte miell dhe e qëlluan me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.