... Nami.al

LDK “provokon” Albin Kurtin: Propozojmë Vjosa Osmanin për presidente

LDK ka deklaruar sot përmes kryetarit Lumir Abdixhiku se është e gatshme të propozojë Vjosa Osmanin për presidente, nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të në Kuvend. 

Përmes një statusi në rrjetet sociale Abdixhiku i përgjigjet kryeministrit Kurti, duke u shprehur:

 “I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ku lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në.

Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar ai.

Por në rast se Kurti do marrëveshje me LDK-në, Abdixhiku është shprehur i gatshëm ta propozojë emrin e Osmanit për presidente nëse VV-ja i garanton votat për të.

“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, vijon kreu i LDK-së. 

Vetëvendosja, partia në qeveri, u ka kërkuar sot dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë, PDK-së dhe LDK-së, që të dalin me tre emra të përbashkët për kreun e shtetit deri në mbrëmje, të cilët të jenë jo partiak dhe unifikues.