...
Arjan Ndoja, deputeti i PD, njëherësh ish-prokuror, është thirrur për të dëshmuar në procesin gjyqësor të Amar Shkëmbit, për atentatin tek mbikalimi i Shkozetit regjistruar në 1 nëntor 2019, me pasojë vdekjen e shoferit të tij Andi Maloku.
Në dëshminë e tij Ndoja ka thënë se nuk ka pasur asnjë dyshim mbi personat që kanë organizuar atentatin ndaj tij, pasi siç u shpreh “nuk i ka borxh dhe as i ka hyrë në hak askujt”.
Dëshmia e Arjan Ndojës në GJKKO
Në vitin 2019 kam qenë prokuror në Durrës. Përveç anatemimit që më kanë bërë figura të larta politike, nuk kam pasur asnjë lloj problematike tjetër. Kam pasur në pronësi një automjet familjar që ishte në emër të bashkëshortes time.
Një muaj para se të ndodhte ngjarja, atë automjet e ka përdorur shtetasi i ndjerë Andi Maloku.
Në datën 1 nëntor 2019 kam dalë nga shtëpia si zakonisht në orën 7 të mëngjesit dhe kam shkuar në punë me Andi Malokun. Rreth orës 12 kam dalë nga puna dhe jam zhvendosur në drejtim të lokalit me emrin “Koral”, pasi kam qenë i ftuar për drekë me disa persona, mes tyre edhe Aleksandër Laho.
Nga ora 13:00 deri rreth orës 16:00 kam qëndruar aty. Kemi qenë me dy makina dhe më pas jemi zhvendosur në drejtim të urës së Dajlanit. Në drejtim të automjetit ishte Andi Maloku, pasi unë nuk ndihesha mirë. Unë ndodhesha në vendin e parë dhe Aleksandër Laho ishte mbrapa. Ai kishte edhe makinën e tij, por erdhi me mua për të bërë muhabet.
Kur kam dalë nga lokali deri kur ka ndodhur ngjarja, nuk kam konstatuar asgjë të dyshimtë.
Kur kemi kaluar gomisterinë që nis kilometri i parë i autostradës deri tek ura e Shkozetit, kanë nisur krismat. Automjeti im ishte në krahun e rrugës me trafik ndarës. Në momentet e para nuk e kam kuptuar se ishin të shtëna me armë zjarri. Krismat nuk kanë qenë në breshëri, kanë qenë të ndara. Kanë qenë dy armë, pasi bënin zhurma të ndryshme dhe intervali i kohës i gjuajtjes ishte i ndryshëm.
Që kur kanë filluar krismat deri kur automjeti ka dalë nga rruga, ka zgjatur rreth 20 sekonda. Kur u plagos i ndjeri Andi Maloku, ai i dha gaz makinës dhe kemi goditur një nga barrierat e rrugës, duke përfunduar jashtë saj.
Kur kemi dalë nga rruga dhe makina ka ndaluar në kanal, vetëm Andi Maloku ishte më i vetëdijshëm dhe ai ka marrë babanë në telefon dhe i ka thënë: “Babë, na kanë gjujt.” Kur kam tentuar të dal nga makina, kam humbur ndjenjat dhe nuk më kujtohet më. Ndërsa Andi Maloku u rrëzua kur hapi derën, sepse mesa duket plumbin e kishte në shtyllën kurrizore.
Nuk kam mësuar as më pas se kush na ka qëlluar. Për Andi Malokun kam dërguar njerëzit e mi që të interesoheshin për gjendjen e tij shëndetësore. Familjarët nuk dinë asgjë, por as i ndjeri nuk ka parë gjë, pasi nuk kanë qëlluar paralel, por nga mbrapa.
Përveç jush si organ prokurorie apo vendimeve gjyqësore, nuk ka ardhur askush të na takojë dhe të na thotë se çfarë ka ndodhur dhe arsyen pse është bërë kjo gjë.
Të pandehurit e këtij procesi, por edhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur, unë nuk i njoh. Plaurent Dervishin e njoh si emër, pasi ka pasur një procedim në Durrës.
Pushimet në vitin 2019 i kam bërë në Shëngjin, pasi kam një shtëpi atje.
Unë përgjithësisht për drekë ulesha tek “Koral” dhe tek një lokal “Kamelia” në Shkëmbin e Kavajës. Përpara ngjarjes nuk kam parë asgjë të dyshimtë. Për shkak të sulmeve politike kam pasur dyshime mos më kanë vënë shërbime të posaçme të policisë, për shkak të vettingut të famshëm, që shumica prej jush e kanë kaluar me sukses.
Nuk kam pasur dyshime, zoti prokuror, sepse po të kisha, nuk do të rrija në rrugë që të mësonin dorën mbi mua. Erjol Halilejn, kur e kam parë në gjyq, jam kujtuar që e kam parë në Durrës.
Tek unë nuk ka ardhur askush për të na takuar, por di që tek familja e Andit kanë shkuar 3-4 veta për t’u takuar. Më mirë e di babai i Andit, që ju e keni edhe dëshmitar. Mua nuk më ka sjellë askush porosi. Rastësisht, në Gjykatën e Durrësit kam takuar xhaxhain e Erjol Halilajt. Më tha që kishte dashur të vinte të më takonte. I thashë pse nuk vjen, më tha: “Po ja, nipi im.” I thashë: “Po çfarë di ti për nipin?”