... Nami.al

Protesta e opozitës/ Policia jep detaje: Arrestuam 11 protestues, Klevis Balliu dhe Aulon Kalaja procedohen penalisht

Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e kaluar, më 17 prill, nga Partia Demokratike në Tiranë, janë arrestuar në flagrancë 11 persona dhe janë proceduar penalisht 15 të tjerë, pas incidenteve të dhunshme.

Sipas njoftimit zyrtar, disa protestues kanë hedhur molotovë dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit publik. Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë tubimit, ndërsa në procedim është përfshirë edhe një deputet i dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullim të paligjshëm.

Fjala është për deputetin Klevis Balliu, ndërkohë që po procedohet penalisht edhe ish-kandidati për deputet Aulon Kalaja, i cili mbeti i lënduar pas përplasjes me uniformat blu.

“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme’, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale ‘Goditje për shkak të detyrës’.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

11 persona të arrestuar në flagrancë:

 K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç. Këta akuzohen për veprat penale “goditje për shkak të detyrës”, “prishje të qetësisë publike”, “shkatërrim prone me zjarr” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht edhe disa shtetas të tjerë, mes të cilëve edhe dy të mitur, për “prishje të qetësisë publike”.

Të proceduarit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç.

Policia bën të ditur se gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar 45 molotovë, të cilët dyshohet se ishin përgatitur për t’u përdorur gjatë protestës.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.