... Nami.al

Propozimi i çuditshëm i Berishës: Kuvendi të miratojë një ligj për votimin me detyrim të qytetarëve shqiptarë

Për shkak të përplasjeve mes policisë dhe protestuesve në protestën e djeshme të Partisë Demokratike, kaloi pa vëmendje një propozim i liderit të opozitës, Sali Berisha.

Sipas Berishës, Kuvendi i Shqipërisë duhet të shqyrtojë dhe miratojë një ligj për votimin me detyrim të qytetarëve shqiptarë.

Në fjalimin e tij gjatë protestës, Berisha u ndal edhe te zgjedhjet në Hungari, duke i paraqitur si shembull të pjesëmarrjes së lartë në votime. Sipas tij Kuvendi i Shqipërisë duhet të shqyrtojë dhe miratojë një ligj për votimin me detyrim.

“Një mësim që ne shqiptarët mund ta nxjerrim nga zgjedhjet në Hungari është pjesëmarrja masive në votime, mbi 80% e qytetarëve hungarezë. Kjo është arsyeja përse unë kam insistuar ligjin për votimin me detyrim, ligj të cilin e kanë një seri vendesh demokratike, sepse vetëm një pjesëmarrje e detyruar në zgjedhje në Shqipëri do të mund të çlironte qytetarët nga frika dhe të kishim rezultatet që duhen”, tha Berisha.

“Por në Shqipëri një pjesëmarrje e tillë është e ndaluar nga kërcënimet”, shtoi lideri demokrat, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për presion ndaj votuesve.