... Nami.al

Rama: Asnjë qeveri italiane nuk ka bërë më shumë për Shqipërinë sa ajo e Melonit

Kryeministri Rama, i cili nisi këtë të enjte vizitën e punës në Romë, Itali, u prit në një ceremoni zyrtare nga homologia Giorgia Meloni në Pallatin Chigi.

Rama dhe Meloni zhvilluan më pas një takim kokë më kokë, me fokus ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se asnjë qeveri italiane nuk ka bërë më shumë për Shqipërinë sa ajo e Melonit.

“Të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Giorgia Melonit. Afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama njihet për raportin e veçantë me homologen e tij italiane Georgia Meloni.

Më vonë kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Spanjës ku me ftesë të Kryeministrit Pedro Sánchez, do të marrë pjesë në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë.

Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit të institucioneve demokratike, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.

Vizita e kryeministri Rama në Romë dhe Barcelonë zhvillohet në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.