...
30 vjet heqje lirie ka dhënë gjykata italiane për Elona Kaleshin, 38-vjeçaren shqiptare e akuzuar për vrasjen dhe copëtimin e Shpëtim dhe Teuta Pashos, prindërit e ish të fejuarit të saj Taulant Pasho, të cilët rezultonin të zhdukur që prej Tetorit të 2015-s.
Trupat bashkëshortëve u zbuluan në Dhjetor të 2020-s, në disa valixhe të braktisura në një terren mes burgut fiorentin të Sollicciano dhe superstradës Firenze-Pisa-Livorno.
Zhdukja e bashkëshortëve Pasho, të cilët kishin shkuar në Itali për të vizituar të birin, i cili nga burgu doli më 2 Nëntor të 2015-s, u denoncua nga vajza e Pashove pranë karabinierëve të Castelfiorentino (Firenze), aty ku ajo jeton dhe ku tashmë prehen edhe trupat e prindërve të saj.
Si ndodhi ngjarja:
Pasditen e së enjtes (4 Maj 2023), Gjykata e Firenze-s dha dënimin me 30 vjet burg për Elona Kaleshin, për vrasje të dyfishtë dhe gjymtim të kufomave.
Ndërkohë prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm.
Për organin e akuzës, në bazë të hetimeve, 38-vjeçarja i vrau vjehrrit një natë përpara se Taulanti të dilte nga burgu.
Krimin e kreu në apartamentin që kishte marrë me qira pikërisht për prindërit e të fejuarit të saj në Firenze.
Elona i vrau ata pasi i druhej faktit se do t’i tregonin të birit që partnerja e tij kishte abortuar gjatë kohës që ai ishte në burg, një fëmijë i ngjizur me dikë tjetër.
Për avokatin mbrojtës të Kaleshit, ajo duhet të lirohej, sepse “nuk dihet nëse i ka vrarë, me kë i ka vrarë dhe përse i ka vrarë”.