... Nami.al

Pasi sistemoi tek “hallat e dajat” të prekurit nga zjarri, Shkëlqim Hajdari propozon ngritjen e grupeve vullnetare

Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka mbledhur Komisionin e Mbrojtjes Civile të Qarkut Tiranë, pasi zjarrit të rënë dy ditë më parë tek kompleksi “Arlis”.

Një ndër kërkesat e tij në këtë takim, ka qenë dhe ngritja e grupeve vullnetare nëpër bashki, kundër zjarreve.

Postimi i Hajdarit

Sot mblodha Komisionin e Mbrojtjes Civile te Qarkut Tirane!

Objekti i diskutimeve ishte bashkërendimi i veprimtarisë së institucioneve vendore dhe qendrore në nivel vendor, për parandalimin e zjarreve, nepermjet masave te gjithe institucioneve nen drejtimin e Prefektures. Po ashtu u diskutua përballimi e emergjencave të mundshme gjatë sezonit pranverë–verë 2026.

U theksua rëndësia e koordinimit ndërinstitucional, me qëllim angazhimin e të gjitha strukturave në nivel qarku dhe bashkie, për marrjen e masave të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse në parandalimin e zjarreve gjatë periudhës së nxehtë në vijim.

Gjithashtu, u vlerësua roli i shërbimit zjarrfikës për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, duke evidentuar nevojën për përmirësimin e trajtimit të tyre në aspektin ligjor.

Në takim u kërkua gatishmëri maksimale e të gjitha burimeve njerëzore dhe mjeteve, për të garantuar efikasitet të lartë në menaxhimin e emergjencave, me synimin për minimizimin e dëmeve.

Detyrat prioritare të përcaktuara janë:

Vijimi i sistemimit të banorëve të prekur nga zjarri i datës 14.04.2026 në Kompleksin “Arlis”, si dhe ndjekja e procedurave për kompletimin sa më të shpejtë të strukturave të MZSH-ve me mjete dhe uniforma;

Ngritja dhe funksionimi i grupeve vullnetare pranë çdo bashkie, të angazhuara në ndërhyrjen fillestare për shuarjen e zjarreve, si dhe përfshirja aktive e kryetarëve të njësive administrative në terren;

Përditësimi i planeve të reagimit dhe njoftimit në kohë reale, si dhe përcaktimi i masave për zbatimin efektiv të tyre;

Pjesëmarrja aktive e kryetarëve dhe stafit të njësive administrative në menaxhimin dhe përballimin e situatave që ndodhin brenda territorit të tyre.

Rritja e nivelit të parapërgatitjes së strukturave dhe intensifikimi i fushatave të sensibilizimit të publikut.