...
Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 22-vjeçar të shpallur në kërkim për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në vitin 2023.
Sipas njoftimit të DVP Lezhë, në kuadër të një operacioni të bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me strukturat për Mbështetje Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit Gabriel Marku, 22 vjeç, në zonën e Shëngjinit.
I riu ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Lezhës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet rezulton se në muajin gusht të vitit 2023, në fshatin Gjadër, 22-vjeçari, në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin E. M., ka plagosur rëndë me armë zjarri shtetasin D. Gj. Vëllai i tij është arrestuar më herët, në muajin nëntor të po atij viti.
Pas kapjes, ndaj 22-vjeçarit vijojnë procedurat ligjore, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.