... Nami.al

“Fyerje për kujtesën kolektive të popullit tonë…”/ Hiqen tabelat e ekspozitës mbi masakrat në Kosovë

Komuna e Prishtinës, pas debateve të shumta, hoqi nga sheshi kryesor i kryeqytetit tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Ky vendim u mor për shkak të pasaktësive që përmbanin materialet e ekspozuara në lidhje me masakrat e ndodhura gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se pezulloi lejen e dhënë për këtë aktivitet të dy shoqatave, të cilat ishin financuar nga ana e Kuvendit.

“Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze që përdhos dinjitetin e qytetarëve dhe fyen kujtesën kolektive të popullit tonë”.

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Visar Ballovci, deklaroi se nuk kanë qenë të armatosur dhe se ngjarja është dokumentuar edhe nga burime ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës, në një reagim, theksoi se përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj dhe se do t’ua adresojë atyre shqetësimet e ngritura.