...
“Bota e Armend Rexhepagiqit që nuk e njohim”. Kështu titullohet intervista e artistit në emisionin “Canape” në T7 dhe është vërtet një nga intervistat që ka shpërfaqur anët më të panjohura të tij.
Një bisedë e sinqertë për muzikën, artin, shoqërinë e duke e lejuar publikun të shohë edhe përtej imazhit të tij si artist. Armend Rexhepagiqi vlerëson çdo emocion, secili prej tyre, edhe ato të trishtat i duken të bukura e megjithatë një prej tyre s’e ka provuar ende: të qenit baba.
Një zgjedhje, një vendim që s’e ka ndier kurrë si thirrje e që në të vërtetë ka qenë e dyanshme. Një deklaratë që vite më parë nuk do ta thoshte kurrë e as do t’i lejonte ta pyesnin, por këtë herë Armendi u tregua një libër i hapur. Pa justifikime apo argumente të tepërta, thjesht një zgjedhje që nuk e ka lënduar kurrë.
-E ke pasur instiktin e të qenurit baba?
Armend Rexhepagiqi: Jo, kurrë nuk kam pasur dëshirë që të kem fëmijë.
-Pse Armend?
Armend Rexhepagiqi: Sepse nuk e kam pasur dhe nëse filloj ta shtjelloj, më duket se filloj të arsyetoj dhe justifikohem prandaj mendoj thjesht që mjafton vetëm që nuk ka ekzistuar dëshira as nga ana ime, as nga ana e bashkëshortes që të kemi fëmijë dhe ndoshta në shoqërinë tonë kjo është temë tabu, jam i sigurt për këtë, por ka qenë vendimi ynë i dyanshëm të cilin e kemi ndier dhe e kemi respektuar vendimin që kemi pasur. Sot nuk jam bërë pishman, jo sepse dua të pohoj që kam bërë, përkundrazi, kënaqem me fëmijët e tjerë, i dua shumë, kam njerëz në familje të cilët i kam shumë të afërt me të cilët kam fëmijë të vegjël ose krijoj raporte mirë, por me veten nuk e kam ndier shumë dhe unë mendoj që kjo është një e drejtë e njerëzve që të ndiejnë dhe mendoj se kjo është e rëndësishme edhe te femrat se në njëfarë mënyre automatike kuptohet që çdo femër duhet të ketë instikt amënor dhe ndoshta edhe mashkulli atë të babait, nuk është kështu. Unë të paktën e njoh veten, e kam ndier këtë dhe nuk jam handikap, nuk kam nevojë të justifikohem dhe në shoqërinë tonë nuk kam folur, i kam lënë njerëzit të kuptojnë çfarë të duan sepse nuk më ka lënduar fakti që nuk kam fëmijë.
Artisti shtoi se ka ndier gjithnjë lirinë për të zgjedhur edhe nga prindërit e tij. Ata s’e kanë pyetur kurrë çiftin pse nuk kanë fëmijë dhe as nuk u kanë bërë presion për të pasur një.