... Nami.al

“Mbreti” i ri në Angli, Haaland flet pas rekordit: Do e festoj në shtrat

Man.City nuk di të ndalet më. Përballë West Ham siguruan fitoren e nëntë radhazi në Premier League duke u rikthyer shpejt në krye, plus një pikë në raport me Arsenal dhe me një ndeshje më pak. Kjo ishte një sfidë që do të kujtohet gjatë në historinë e futbollit britanik. Në Angli ka një “mbret” të ri, Erling Haaland, rekordmeni i ri i Premier League.

Ekipi i Pep Guardiola-s hasi vështirësi vetëm në pjesën e parë, deri në minutën e 50-të ku Ake me kokë kaloi Man.City në avantazh. Në minutën e 70-të, Haaland me një vertikalizim të shpejtë dhe me një finalizim plot klas dyfishoi shifrat duke arritur kuotën e 35 golave në Premier League. Pas 30 vitesh, Haaland arrin të thyej rekordin e golashënuesit më të mirë në Angli, rekord që mund ta përmirësojë në javët në vijim. Në minutën e 85-të, ishte Foden që shënoi golin e tretë duke hipotekuar këtë sukses të pastër të Man.City.

Në përfundim të sfidës, e gjithë vëmendja ishte tek Erling Haaland: “Ishte një natë speciale, një moment special”, u shpreh Haaland BBC duke shtuar: “Është e pabesueshme kjo që ndodhi, jam i lumtur edhe për tre pikët. Në fund vetëm kjo ka rëndësi. Si do ta festoj këtë rekord? Tani do të kthehem në shtëpi, do të haj diçka dhe do të loz me video lojëra. Nuk e them atë tjetrën se do të tallen me mua, pastaj do të shkoj në shtrat, kështu do e festoj”, u shpreh Haaland.