... Nami.al

“Po ndjekim nga afër ngjarjen” – Qeveria portugeze reagon pas vrasjes së shtetasit të saj në Ksamil: Kemi informacion vetëm nga mediat lokale

Qeveria portugeze po ndjek rastin e vrasjes së një turisti portugez në Shqipëri. I riu, 20 vjeç, u gjet në orët e para të mëngjesit të së martës me shenja goditjesh me thikë.

Në një prononcim për Renascença, Raquel Trindade, nga zyra e Ministrit të Punëve të Jashtme, tha se nuk ka informacione zyrtare për atë që ka ndodhur, apo për veprimet që mund të kenë ndërmarrë autoritetet e Tiranës.

“Ministria e Punëve të Jashtme po e ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që ka ndërruar jetë në Shqipëri dhe, përmes Ambasadës së saj në Romë, si edhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen së bashku me autoritetet lokale”, deklaroi zyrtarja.

Ajo konfirmoi për Renascença se, “për momentin”, ende nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur.

“Dimë nga mediat lokale se ka pasur arrestime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund t’ua përcjellim”, shtoi Raquel Trindade.

Ajo siguroi se Ministria e Punëve të Jashtme do të “vazhdojë të ndjekë gjithçka që është e nevojshme, si me autoritetet lokale, ashtu edhe me familjarët”.

Sipas mediave shqiptare, 11 persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e të riut portugez.

I dyshuari kryesor për goditjen me thikë është një 29-vjeçar, Sokrat Vata, i cili ka precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra të lidhura me trafikun e drogës, mbajtjen e armëve dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit.