... Nami.al

Policia hodhi ujë me presion, por qytetarët arrijnë te Kryeministria, thirrje kundër Ramës dhe Berishës (VIDEO)

Nisi me tensione protesta e katërt në Tiranë kundër ndërtimeve në Zvërnec.

Qytetarët u nisën nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, por këtë herë hasën me kordonin e forcave policore i cili ishte vendosur në të dy krahët e Lanës, në kuadër të masave për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael, që do të luhet në orën 20:00.

Për këtë arsye protestuesit nuk u lejuan fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjë që shkaktoi acarim dhe përplasje fizike mes tyre dhe efektivëve të Shqiponjave.

“O sa turp me qenë polic”, “Hapeni rrugën” – ishin disa nga thirrjet e protestuesve, ndërsa pas disa tentativave u arrit zhbllokimi i kësaj hapësire.


Policia hodhi ujë me presion për të shpërndarë turmën, por qytetarët ia arritën të arrijnë të Kryeministria, ku kanë hedhur akuza si ndaj kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe ndaj edhe ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.

Mes sloganeve, dëgjoheshin thirrje si “Opozitë e shitur” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur pakënaqësi ndaj të gjithë klasës politike.

Qytetarët kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Në terren janë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), ndërsa janë marrë një mori masash për sigurinë e lojtarëve të Kombëtares së Izraelit.