... Nami.al

Digjen qindra hektarë në Bulqizë/ Flakët u afrohen dy fshatrave, vijon ndërhyrja nga ajri

Vijojnë vatrat e zjarrit në zonën e Vajkalit dhe Qafë-Helmës, në Fushë-Bulqizë, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha me pyje, ah, pisha dhe shkurre.

Zjarri është afruar pranë fshatrave Vajkal 1 dhe Vajkal 2, duke rritur shqetësimin për banorët dhe banesat në zonë.

Prej dy ditësh, operacioni për shuarjen e flakëve po zhvillohet edhe nga ajri, me ndërhyrjen e një helikopteri.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në operacion janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë dhe punonjës të strukturave të emergjencave.

Terreni i vështirë malor, së bashku me përhapjen e zjarrit, po vështirëson ndërhyrjen e ekipeve në terren. Forcat e angazhuara po punojnë për izolimin e vatrave dhe frenimin e përparimit të flakëve drejt zonave të banuara.

Deri tani, zjarri ka dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, ndërsa ekipet në terren vijojnë monitorimin e situatës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Operacioni vijon me fokus shuarjen e vatrave aktive, izolimin e zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara.