... Nami.al

Rama mbledh sot deputetët dhe të deleguarit e Tiranës!

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të mbledhë sot në orën 11:00 të deleguarit politikë të Tiranës dhe deputetët e qarkut.

Takimi vjen vetëm një ditë pas mbledhjes me dyer të mbyllura të zhvilluar në një prej vilave qeveritare në kryeqytet, ku Rama diskutoi me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat.

Në fokus të takimit të sotëm pritet të jetë zbatimi në terren i dokumenteve “Besa” dhe “Prania Besnike”, një proces që synon forcimin e kontakteve të strukturave të Partisë Socialiste me qytetarët.

Gjatë mbledhjes së një dite më parë, Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të qarqeve të angazhohen drejtpërdrejt në këtë proces, duke shtuar praninë në zonat e tyre elektorale dhe kontaktet me qytetarët.

Takimi i sotëm pritet të përcaktojë edhe mënyrën se si strukturat socialiste në Tiranë do të zbatojnë në terren porositë e dhëna nga kreu i PS-së.