...
Për herë të parë në historinë e politikës shqiptare, Sali Berisha mund të paraqitet në një proces gjyqësor me forcë nga Policia. Gjithçka ka të bëjë me padinë për shpifje që ka ngritur ndaj ish kryeministrit, kryebashkiaku Erion Veliaj. Ky i fundit ishte sot i pranishëm në seancën e parë, e ndërsa Berisha mungoi dhe nuk solli as avokatin e tij në seancë. Në përfundim të saj, Veliaj tha se gjykata ka vendosur që Berisha do shoqërohet nga policia në gjykatë në datën 19 maj.
“Në 19 maj Berisha do shoqërohet nga policia në gjykatë. Policia duhet të zbatojë vendimin e gjykatës për të shoqëruar Berishën në gjyq në 19 maj. Ka 30 vite që shan, por çdo gjë ka një limit. Duhet t’i provojë në gjykatë ato që thotë”, tha Veliaj.
Ai shtoi se kjo ishte një mundësi e mirë për të bërë “debatin e famshëm” që Berisha kërkon, por sërish refuzoi. Sipas Veliaj, ky është një tregues i qartë që akuzat e tij janë të pabazuar me qëllimin e vetëm për të dëmtuar imazhin e kundërshtarit.
“Ka kaq kohë që më fton debat, po Berisha nuk është burrë, është frikacak, Berisha është i lig, ka promovuar kulturën hidh baltë pa pikë përgjegjësie”, shtoi ai.
Pak ditë më parë, Sali Berisha hodhi akuza ndaj Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në lidhje me inceneratorin e Tiranës dhe të ashtuquajtura “lidhje” të tij me Iranin. Për të gjitha këto akuza, kryetari i bashkisë ka paraqitur një padi penale pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me të dëmtuar akuzues Erion Veliaj dhe me të akuzuar Sali Berisha. Sipas tij, Veliaj po pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit.
“Ju tregoj unë histori me Iranin. Personi që ka bërë vizita të përsëritura është Erion Veliaj. Ke qenë ti apo jo, nuk e di? Por ai ka qenë në Iran dhe ka bërë shqetësim për vendet partnere. Ministri i juaj i Jashtëm ka qenë në Iran”, ka thënë më herët Berisha.