... Nami.al

Sezoni turistik 2026/ Hita: Patrullime përgjatë gjithë bregdetit, kontrolle të rrepta për mjetet lundruese

Policia e Shtetit ka prezantuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2026, me fokus menaxhimin e fluksit të vizitorëve dhe rritjen e kontrolleve në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se Shqipëria po përjeton një sezon turistik me numër të lartë vizitorësh, duke e cilësuar sigurinë si një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e atraktivitetit të vendit.

Sipas tij, Policia e Shtetit ka shtuar angazhimin operacional në të gjithë territorin, ndërsa theksoi se Policia Kufitare dhe Policia Rrugore përfaqësojnë kontaktin e parë të turistëve me Shqipërinë dhe duhet të garantojnë zbatimin e ligjit, por edhe një shërbim korrekt e mikpritës.

Në kuadër të masave për sezonin veror, patrullimet do të zhvillohen përgjatë gjithë vijës bregdetare në bashkëpunim me Rojën Bregdetare. Për herë të parë, njësitë policore detare do të mbështeten edhe nga monitorimi ajror me dronë, me synim rritjen e kontrollit dhe parandalimin e shkeljeve në zonat turistike.

Hita paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë për asnjë mjet lundrues që rrezikon sigurinë e pushuesve. Ai bëri të ditur se kontrollet ndaj motorëve të ujit, skafeve dhe anijeve turistike do të jenë të vazhdueshme dhe të rrepta gjatë gjithë sezonit.

Policia e Shtetit synon që përmes këtyre masave të garantojë një sezon veror të sigurt për qytetarët dhe turistët, duke forcuar praninë në terren dhe monitorimin në të gjitha zonat me fluks të lartë vizitorësh.