... Nami.al

Ujërat e Potamit të ndotura prej ditësh, Bashkia e Himarës: Janë marrë mostra për analizë

Prej të paktën katër ditësh ujërat e bregdetit në Potam të Himarës janë të ndotura.

Bashkia e Himarës thotë se kanë marrë mostra për të përcaktuar shkakun

Reagimi i Bashkisë së Himarës

Në lidhje me pretendimet e ngritura në media dhe rrjetet sociale mbi praninë e ujërave të ndotura në zonën e Potamit, Bashkia Himarë informon opinionin publik se situata po ndiqet me vëmendje dhe seriozitet të plotë nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

Prej disa ditësh, Bashkia Himarë, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Task Forcën e AKUK-së, si dhe Task Forcën për Menaxhimin e Sezonit Turistik 2026, ndodhen në terren duke monitoruar nga afër situatën.

Në kuadër të këtyre verifikimeve janë marrë mostra për analizim nga institucionet kompetente, me qëllim identifikimin e plotë të fenomenit të raportuar dhe përcaktimin e masave të nevojshme për rikthimin e situatës në normalitet.

Deri në përfundimin e analizave dhe verifikimeve teknike, çdo informacion lidhur me shkaqet e këtij fenomeni mbetet në nivel pretendimi dhe nuk ekziston ende një konkluzion zyrtar nga institucionet përgjegjëse.

Njëkohësisht, sqarojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura që shërben për qytetin e Himarës është plotësisht funksional dhe vijon të operojë normalisht, në përputhje me parametrat teknikë dhe standardet e përcaktuara për këtë kategori infrastrukture. Bazuar në monitorimet dhe të dhënat e disponueshme deri në këtë moment, nuk është konstatuar asnjë problematikë në funksionimin e impiantit që mund të lidhet me pretendimet e ngritura.

Bashkia Himarë siguron qytetarët, pushuesit dhe bizneset turistike se situata po trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe se çdo masë e nevojshme do të ndërmerret menjëherë pas daljes së rezultateve të analizave dhe rekomandimeve të strukturave teknike përgjegjëse.

Bashkia Himarë do të vijojë të informojë publikun me transparencë të plotë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë çështje.

Ruajtja e cilësisë së ujërave detare, mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i sigurisë së pushuesve mbeten prioritete absolute për Bashkinë Himarë dhe institucionet e përfshira në monitorimin dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik 2026.