...
Mbi 50 mijë vetë rezultojnë të zhdukur, thirrje për ndihmë nga rrënojat Një garë me kohën po zhvillohet në Venezuelë, teksa ekipet e shpëtimi nxitojnë të shpëtojnë personat e bllokuar nën rrënoja, pasi dy tërmete të fuqishme goditën Venezuelën pranë kryeqytetit Karakas.
Të dhënat e përditësuara flasin për të paktën 235 viktima dhe mbi 4300 të plagosur, por bilanci real parashikohet të jetë shumë më tragjik. Vlerësohet se ka 42 për qind mundësi që viktimat të jenë më shumë se 10 mijë, dhe 33 për qind, që t’i tejkalojnë 100 mijë. Në Karakas dhe qytetin bregdetar të La Guaira, njerëzit janë dëgjuar teksa thërrisnin për ndihmë nga rrënojat e godinave të shembura.
Dy tërmete të fuqishëm 7.2 dhe 7.5 të shkallës rihter u regjistruan njëri pas tjetrit. Epiqendra në të dyja rastet ishte pranë sipërfaqes duke e bërë shkatërrimin edhe më të gjerë. 250 ndërtesa thuhet të jenë dëmtuar rrafshuar, kryesisht në La Guaira, ku edhe një hotel 10 katësh u reduktua në rrënoja. Një foshnje i sapolindur u nxor i gjallë nga rrënojat në këtë qytet, ku për shkak të mungesës së pajisjeve, po gërmohet me duar.
Një platformë online që synon gjurmimin e të pagjeturve, sinjalizon se rreth 50 mijë vetë janë shpallur si të zhdukur, mes të cilëve edhe 7 futbollistë të kombëtares venezueliane. Një sërë shtetesh janë zotuar të ndihmojnë shtetin e Amerikës Latine, me SHBA që ka premtuar 150 milion dollarë ndërsa ka hequr edhe disa sanksione ne fuqi ndaj vendit.
Ushtria amerikane po dërgon anije transporti dhe avionë për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit dhe ndihmës së shpejtë. Aeroporti kryesor i Venezuelës në periferi të Karakasit u mbyll për shkak të dëmeve serioze, te shfaqura edhe ne pamje që qarkullojnë online. Paslëkundjet kanë vijuar të regjistrohen në zonë, me 30 të tilla të shënuar pas dy tërmeteve.