... Nami.al

Rama “kërcënon” Veliajn: Fitojmë Tiranën, por pa mendjelehtësinë e vitit 2011

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës se më 9 maj socialistët do të fitojnë Bashkinë e Tiranës, por theksoi se ekipi organizues nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës dhe të bjerë në mendjelehtësi.

Rama kritikoi drejtësinë për atë që e cilësoi si humbje të drejtëpeshimit në rastin e Erion Veliajt, duke iu referuar paraburgimit të tij gati dyvjeçar dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta lënë në detyrë.

“Ky absurditet antidemokratik, i prodhuar nga një zhbalancim i hapur i drejtësisë, haracin e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Si do ta kapim kohën e humbur?”, u shpreh Rama.

Kryeministri foli edhe për nevojën e një kontrate unike dhe të qartë, detyruese për të gjithë kandidatët në rang kombëtar. Ai u ndal te taksat e biznesit të vogël, duke theksuar se nuk ka kuptim që qeveria ta ketë zero taksën për këtë kategori, ndërsa bashkitë ta ngarkojnë me tarifa të ndryshme.

Duke folur për zgjedhjet në Tiranë, Rama kujtoi se Partia Socialiste e ka fituar bashkinë në gjashtë nga shtatë zgjedhjet e 26 viteve të fundit, ndërsa u ndal edhe te humbja e fitores së kaluar.

“Atëherë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, por na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë e bindur se e ka fitoren në xhep”, tha Rama.

Ai shtoi se nuk beson që socialistët rrezikohen sot nga e njëjta mendjelehtësi, ndërsa paralajmëroi se kush nuk do të përmbushë detyrat ndaj Partisë Socialiste dhe atyre që u kanë besuar votën, nuk do të ketë vend në këtë organizim politik.

Rama u ndal edhe te marrëdhënia e Erion Veliajt me Bashkinë e Tiranës, duke komentuar largimet nga puna të punonjësve që nuk shpërndajnë apo nuk mbështesin publikimet e tij nga burgu.

“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se nuk e gjykon Veliajn për atë që bën, por u shpreh se shpreson që ai të kuptojë se është në gabim në raport me të dhe Partinë Socialiste.

“Unë nuk mund ta gjykoj Erionin për çfarë thotë e bën, por vetëm uroj me gjithë zemër të kuptojë që është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe PS-në”, deklaroi kryeministri.

Rama paralajmëroi gjithashtu se do të ketë përgjegjësi politike për këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë, sipas tij, porosi të gabuara kundër punonjësve të institucionit.

Në përfundim, kryeministri pranoi se mungesa e kryebashkiakut përbën një problem për funksionimin e qeverisjes vendore, por tha se kjo situatë do të zgjidhet më 9 maj, me fitoren e socialistëve në Tiranë, në Ditën e Evropës.

Ai paralajmëroi gjithashtu se alternativat politike të kundërshtarëve, sipas tij, përfaqësojnë rrezik për të ardhmen e vendit, pasi pas tyre shikon kaos, konfuzion dhe paqëndrueshmëri.