Ish-kreu i Policisë së Shtetit italian, Gianni De Gennaro, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Ai u gjet i pajetë mëngjesin e së shtunës në banesën e tij të fshatit në Toskanë. Sipas mediave italiane, i ka dhënë fund jetës me armë zjarri, i tronditur nga hetimi i Prokurorisë së Caltanissetta-s, ku ishte nën hetim për pengim të drejtësisë.
De Gennaro kishte shkuar i vetëm në banesën e tij dhe nuk u ishte përgjigjur telefonatave të familjarëve. Të shqetësuar nga mungesa e kontaktit, ata njoftuan policinë, e cila e gjeti të vdekur. Sipas raportimeve, që prej kontrolleve të kryera në banesën e tij në kuadër të hetimit, ai kishte ndërprerë marrëdhëniet me të tjerët.
Vdekja e tij vjen në një moment kur çështja ndaj tij pritej të merrte një zhvillim të ri. Prokuroria e Caltanissetta-s kishte kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, por kërkesa ishte rrëzuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake. Prokurorët kishin apeluar vendimin dhe më 1 dhjetor Gjykata e Rishqyrtimit pritej të vendoste për kërkesën e tyre.
Hetimi lidhet me dyshimet për pengim të drejtësisë në çështjen e masakrës së Via D’Amelio, ku më 19 korrik 1992 u vra gjyqtari antimafia Paolo Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij. Prokurorët dyshojnë se De Gennaro dhe disa ish-bashkëpunëtorë të tij kanë tentuar të pengojnë dëshminë e ish-bashkëpunëtorit të drejtësisë Salvatore Contorno dhe të fshehin dokumente që lidhen me hetimet. De Gennaro i kishte mohuar akuzat.
Kush ishte De Gennaro
I lindur në Reggio Calabria, De Gennaro nisi karrierën në polici në vitin 1973 dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme të luftës kundër mafias në Itali. Ai bashkëpunoi ngushtë me gjyqtarin Giovanni Falcone në hetimet që çuan në procesin e madh gjyqësor ndaj Cosa Nostra-s. Në vitin 1984 ishte pjesë e operacionit për kthimin në Itali të Tommaso Buscetta-s nga Brazili, i cili më pas pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.
Karriera e tij vijoi me emërime të rëndësishme. Në vitin 1993 mori drejtimin e Drejtorisë së Hetimeve Antimafia (DIA), ndërsa në vitin 2000 u emërua në krye të Policisë së Shtetit, detyrë që e mbajti për shtatë vjet. Gjatë kësaj periudhe u përball edhe me hetimet për dhunën e policisë gjatë samitit të G8-s në Xhenova, në vitin 2001. Ai u shpall përfundimisht i pafajshëm nga Gjykata e Kasacionit.
Pas largimit nga drejtimi i Policisë, De Gennaro drejtoi nga viti 2008 deri në vitin 2011 DIS-in, institucionin që koordinon shërbimet sekrete italiane. Më pas ishte president i kompanisë Leonardo, ish-Finmeccanica, nga viti 2013 deri në vitin 2020, si dhe drejtoi Bankën Popolare di Bari. Në vitet e fundit ishte i angazhuar edhe në kompaninë Eurolink, pjesë e grupit Webuild, që merret me projektin e urës që do të lidhë Siçilinë me pjesën tjetër të Italisë.
Borsellino akuzon prokurorët për nxitje të vetëvrasjes
Vdekja e ish-kreut të Policisë së Shtetit italian, Gianni De Gennaro, ka shkaktuar reagime të shumta në Itali, ku përfaqësues të qeverisë dhe të politikës, kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij, ndërsa disa prej tyre kanë kritikuar ashpër mënyrën se si ai u trajtua gjatë hetimeve gjyqësore të ditëve të fundit.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u shpreh se ishte “thellësisht e tronditur” nga lajmi për vdekjen tragjike të De Gennaros.
Ajo shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e saj me familjen, veçanërisht me vëllain e tij, i cili mban detyrën e komandantit të përgjithshëm të “Guardia di Finanza”, si dhe me të gjithë të afërmit në këtë moment dhimbjeje.
Reagime pati edhe nga drejtues të tjerë të institucioneve italiane.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, e cilësoi De Gennaron një funksionar të rëndësishëm të shtetit, i cili i kishte shërbyer Italisë në detyra të rëndësishme dhe në periudha historike veçanërisht të vështira.
Ai shprehu solidaritetin me bashkëshorten, fëmijët dhe vëllain e të ndjerit, duke theksuar se punonjësit e Ministrisë së Brendshme do ta kujtojnë për seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj detyrës.
Edhe presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, tha se ishte i tronditur nga fundi tragjik i ish-kreut të Policisë.
Ai theksoi rëndësinë e respektimit të parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë, sipas të cilit çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, e përshkroi De Gennaron si një polic të madh dhe një shërbyes të shtetit, i cili kishte punuar gjatë gjithë jetës për institucionet italiane.
Tajani theksoi se hetimet duhet të zhvillohen nga organet kompetente, ndërsa proceset dhe vendimet për fajësinë, duhet të bëhen në sallat e gjyqit dhe jo përmes gjykimeve publike.
Sipas tij, De Gennaro nuk është rasti i vetëm i një personi që përballet me gjykime jashtë sistemit gjyqësor, përpara se të ketë një vendim nga gjykata.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe lideri i “Lega” Matteo Salvini, i cili e cilësoi ish-kreun e Policisë “viktimë të një masakre mediatiko-gjyqësore”, duke thënë se karriera dhe shërbimi i tij ndaj shtetit nuk e meritonin një trajtim të tillë.
Reagime kritike ndaj institucioneve pati edhe nga figura të tjera politike.
Një nga reagimet më të ashpra erdhi nga Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit, Paolo Borsellino, i cili akuzoi Prokurorinë e Caltanissetta-s për përgjegjësi morale në vdekjen e ish-kreut të Policisë.
“Vdekja e De Gennaros, sipas mendimit tim, e bën Prokurorinë e Caltanissetta-s përgjegjëse për nxitje të vetëvrasjes”, deklaroi ai për agjencinë ANSA.
Borsellino kundërshtoi gjithashtu kompetencën e kësaj prokurorie për hetimin, duke argumentuar se çështja duhej të ndiqej nga Prokuroria e Palermos.
Sipas tij, hetimet synonin të zhvendosnin vëmendjen nga përgjegjësitë e mundshme të Njësisë së Operacioneve Speciale të Karabinierëve (ROS) dhe shërbimeve sekrete për zhdukjen e të ashtuquajturës “agjenda e kuqe” e vëllait të tij, duke e përqendruar vëmendjen te Policia e Shtetit.
Vdekja e tij ndodhi pak ditë pasi Prokuroria e Caltanissetta-s e kishte regjistruar si person nën hetim për dyshime për pengim dhe devijim të hetimeve lidhur me atentatin mafioz të 19 korrikut 1992 në rrugën “Via D’Amelio”, në Palermo, ku u vra gjyqtari Paolo Borsellino, nga figurat kryesore të luftës kundër mafias, së bashku me pesë pjesëtarë të eskortës së tij.
Hetimi lidhet gjithashtu me zhdukjen e “agjendës së kuqe” të Borsellino, një bllok shënimesh ku gjyqtari mbante shënime për çështjet që hetonte dhe që nuk u gjet kurrë pas atentatit.
