... Nami.al

Të vjella dhe diarre në Vlorë, drejtori i Ujësjellësit: Uji është i pastër edhe fëmijët e mi e pinë!

Drejtori i Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë, Klevis Kaso, ka reaguar publikisht pas lajmeve që qarkulluan ditën e djeshme në media, se disa persona ishin paraqitur në spital me shenja helmimi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kaso ka garantuar se uji që furnizohet përmes rrjetit të administruar nga institucioni është i pastër dhe i sigurt për konsum, duke theksuar se kjo mbështetet në kontrollet e kryera.

Ai bën me dije se analizat fiziko-kimike të mostrave të marra në 22 pika monitorimi në qytet nuk kanë evidentuar ndotje, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve.

Drejtori i Ujësjellësit pranon se mund të ketë raste të izoluara problematikash si pasojë e ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme, por thekson se për çdo rast të sinjalizuar ndërhyhet menjëherë.

“Paralelisht, po punojmë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për investimin madhor të rrjetit të ri të ujësjellësit, një ndërhyrje që synon t’u japë zgjidhje problematikave të ndjeshme të trashëguara ndër vite”, shkruan mes të tjerave Kaso në reagimin e tij.
Reagimi i plotë:

Në këtë moment të ndjeshëm, kur shqetësimi i prindërve është mëse i kuptueshëm dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, dua të flas me përgjegjësi dhe transparencë.

Edhe fëmijët e mi rriten në këtë qytet. Ata jetojnë këtu, konsumojnë ujin e këtij qyteti dhe kjo është arsyeja pse çdo shqetësim i qytetarëve më prek mua personalisht.

Dua të jem i qartë: Uji që furnizohet përmes sistemit të administruar nga Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë është i pastër dhe i sigurt për konsum, bazuar në kontrollet dhe përgjegjësinë tonë për depot, linjat e transmetimit dhe rrjetin që ne administrojmë.

Sigurisht, mund të ketë raste të izoluara, si pasojë e ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet. Por për çdo rast të sinjalizuar, reagojmë menjëherë dhe marrim masat përkatëse për zgjidhjen e tij në kohë rekord.

Paralelisht, po punojmë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për investimin madhor të rrjetit të ri të ujësjellësit, një ndërhyrje që synon t’u japë zgjidhje problematikave të ndjeshme të trashëguara ndër vite.

Në momente të tilla, qetësia, përgjegjësia dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore. E vërteta duhet të dalë përmes analizave dhe verifikimeve institucionale, jo përmes hamendësimeve.

Nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, sepse pas çdo pune që bëj/bëjmë janë familjet e këtij qyteti, familja ime, fëmijët e mi dhe fëmijët e çdo qytetari që meriton të jetojë i sigurt.