Policia e Tiranës ka arrestuar personin e dyshuar për grabitjen e degës së “Raiffeisen Bank”, në zonën e Komunës së Parisit, ngjarje e ndodhur më 2 nëntor.
Në pranga ka rënë Robert Duka, 50 vjeç, nga Vlora, i cili u arrestua pranë rrugës së Kosovarëve në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake, 50-vjeçari dyshohet se ka hyrë i armatosur në ambientet e bankës, ku ka kërcënuar punonjësit dhe më pas është larguar me një monopatinë elektrike.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu dyshime se Duka mund të jetë i përfshirë edhe në një tjetër grabitje banke, të ndodhur disa muaj më parë, po në zonën e Komunës së Parisit.
Kujtojmë se grabitja e degës së “Raiffeisen Bank” ndodhi rreth orës 10:45, ndërsa banka konfirmoi se nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, mes punonjësve apo klientëve.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të të dyshuarit.
