... Nami.al

Takimi Veliaj-Gogu në burgun e Fierit, Plarent Ndreca: Erioni më dorëzoi sot shënimet, do i publikoj shumë shpejt

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka dhënë detaje pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës, i cili është transferuar në sektorin spitalor të burgut të Fierit për shkak të frakturës në këmbë dhe nevojës për trajtim mjekësor.

Përmes një deklarate pas takimit, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Ndreca ngriti shqetësimin për mosrealizimin e ekzaminimit të kërkuar për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit të këmbës së Veliajt, ndërsa bëri të ditur se kryetari i Tiranës ka shkruar përgjigjet që i ka komunikuar Ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij.

“Erioni është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të këmbës së thyer, e cila kërkon ende rikuperim dhe trajtim mjekësor.

Ndërkohë, po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës.

Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek rikuperimin e tij.

Erioni më dorëzoi disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal, ku ka shkruar përgjigjet që i ka komunikuar ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij. Këto përgjigje do t’i bëjmë publike”, deklaroi Ndreca.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në burgun e Fierit, ku është transferuar në sektorin spitalor të institucionit për të vijuar trajtimin dhe rikuperimin e frakturës në këmbë.