Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në një apartament në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë.
Si pasojë e shpërthimit, raportohet se janë shembur muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit. Një 83-vjeçar, që jetonte në apartamentin ngjitur ka ndërruar jetë. Në ndihmë kanë ardhur edhe zjarrfikës nga Tirana.
Menjëherë pas ngjarjes, ka nisur evakuimi emergjent i banorëve të ndërtesës.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë të mundur nxjerrjen e banorëve, duke ndërhyrë përmes shkallëve të emergjencës së zjarrfikësve.
E gjithë godina është evakuuar, ndërsa 8 persona kanë mbetur të asfiksuar si pasojë e ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake, personat e asfiksuar janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës ende nuk kanë mundur të hyjnë në apartamentin ku ndodhi shpërthimi, pasi aty vijon të ketë zjarr.
Në vendngjarje vijojnë operacionet e emergjencës, ndërsa priten të dhëna të tjera për shkaqet dhe pasojat e shpërthimit.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, si pasojë e shpërthimit të ndodhur në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, sipas të dhënave paraprake, 8 persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.
Fatkeqësisht, nga ngjarja ka humbur jetën një 83-vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje.
Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal Elbasan ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të personave të lënduar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me strukturat përkatëse, po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor.
Informacioni mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve do të përditësohet në vijim, bazuar në vlerësimet e ekipeve mjekësore.
