Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, Klodiana Spahiu ka bërë sot një përditësim në lidhje me gjendjen e Erjon Vishkullit, të riut që u dëmtua në sy gjatë protestës së 24 tetorit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spahiu shprehet se Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale që u realizua në një klinikë në Romë, Itali.
Sipas ministres, mjekët kanë arritur të shpëtojnë syrin e të riut.
Reagimi i plotë:
Erjon Vishkulli, e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të djalit.
Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen, ndërkohë që qeveria miratoi po sot edhe mbështetjen financiare për Erjonit.
Përtej dijes dhe aftësisë profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, bashkimi i forcave te humanizmi që i bën kaq të veçanta këto situata.
Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim.
Mirënjohje të sinqertë profesor Rizzos për atë që bëri dhe përgëzime familjes e miqve të Erjonit.
