Qeveria shqiptare ka miratuar krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për veprime të dhunshme gjatë protestave, duke i dhënë Policisë së Shtetit një instrument të ri për identifikimin, monitorimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi ta.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i miratuar më 28 tetor, parashikon gjithashtu mundësinë që Policia Kufitare të refuzojë administrativisht daljen jashtë vendit të personave të përfshirë në regjistër, edhe kur ndaj tyre nuk është vendosur një masë sigurimi që ndalon largimin nga Shqipëria.
Masa vjen në një periudhë tensionesh të lidhura me protestat e zhvilluara që prej 13 tetorit dhe në të njëjtën ditë kur Drejtoria e Antiterrorit njoftoi arrestimin e një personi dhe referimin në prokurori të 17 të tjerëve për vepra të dyshuara penale në kontekstin e tubimeve.
Regjistri i ri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përfshijë personat e identifikuar në materialet e referuara në prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme ndaj jetës, shëndetit ose pronës publike dhe private gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve.
Kjo do të thotë se përfshirja në regjistër nuk kushtëzohet me një vendim gjyqësor fajësie, por mund të mbështetet në dokumentacionin e referuar nga policia.
Kufizime në kufi edhe pa vendim gjykate
Një nga dispozitat më të rëndësishme të vendimit lidhet me kompetencat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit.
Sipas aktit, kur verifikimi individual evidenton të dhëna konkrete për pjesëmarrjen e një personi në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve publike, Policia Kufitare mund të refuzojë administrativisht daljen e tij nga territori shqiptar, në bazë të ligjit për kontrollin e kufirit shtetëror.
Kjo mundësi parashikohet shprehimisht edhe në rastet kur nuk ekziston një masë gjyqësore për ndalimin e largimit jashtë vendit.
Vendimi përcakton gjithashtu se, nëse personit nuk i refuzohet dalja, autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit të destinacionit për faktin se ai është referuar për veprat penale të përcaktuara në akt.
Një dispozitë tjetër parashikon që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit të njoftojë personat fizikë dhe juridikë privatë që administrojnë struktura akomoduese për individët ndaj të cilëve ekzistojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme dhe janë referuar materiale në prokurori.
Këto përcaktime e zgjerojnë përdorimin e informacionit policor përtej hetimit penal, duke e lidhur atë edhe me kontrollin e lëvizjes ndërkombëtare dhe komunikimin me subjekte private.
Regjistrimi pa vendim fajësie dhe mbrojtja e të dhënave
Regjistri do të përmbajë të dhëna mbi identitetin e personave, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, referimet procedurale, masat kufizuese në fuqi dhe historikun e përditësimeve.
Informacioni do të sigurohet përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe sistemet elektronike të Policisë së Shtetit.
Vendimi specifikon se shkëmbimi i të dhënave nuk krijon akses të përgjithshëm të policisë në regjistrat e prokurorisë.
Për personat e referuar, nevoja për ruajtjen e të dhënave duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Nëse prokuroria vendos mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes, të dhënat e personit fshihen nga regjistri.
Qeveria parashikon që përpunimi i informacionit të kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit dhe proporcionalitetin.
Megjithatë, mekanizmi ngre pyetje juridike mbi raportin ndërmjet masave administrative dhe prezumimit të pafajësisë, veçanërisht kur të dhënat për një person që nuk është shpallur fajtor mund të përdoren për kufizimin e lëvizjes ose t’u komunikohen palëve të treta.
Një çështje tjetër është mënyra se si do të kontrollohet proporcionaliteti i refuzimit të daljes jashtë vendit dhe cilat garanci procedurale do të kenë personat e prekur nga vendimmarrja administrative.
