... Nami.al

Protesta e studentëve, akuza në distancë mes Berishës dhe Ballës: Mashtrues, nxirre të plotë videon

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestës në Tiranë, duke e cilësuar ndërhyrjen e policisë si “terror të narkoshtetit”.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha ka shprehur solidaritetin e tij me studentët protestues, duke vlerësuar qëndresën e tyre dhe duke kërkuar ndalimin e dhunës.

“Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit ndaj studentëve guximtarë! Nderim studentëve misionarë!”, shkruan kreu i PD-së.

 

Për protestën, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në fakt ka një mesazh të drejtpërdrejtë për kreun e PD-së.

“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky “studenti” godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, shkruan ai, krahas pamjeve.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar dhunën dhe sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit.

“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të “provokuar” rëndë nga pllakat e trotuareve. Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkruan ajo.