... Nami.al

Shqipëria mbyll Kapitullin 20 me BE-në, Rama nga Luksemburgu: Ta ‘tundim’ këtë shtëpi

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Qendrën Europiane të Konventave për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20, i cili lidhet me “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

Në konferencë për mediat me Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos dhe me ministrin e Jashtëm irlandez, Thomas Byrne, Rama tha se Shqipëria dëshiron të mbyllë sa më shumë kapituj.

Ministri i jashtëm irlandez Thomas Byrne deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt integrimit.

Byrne nënvizoi se inkurajon kryeministrin Edi Rama që të vijojë me reformat.

“Shqipëria ka mbyllur Kapitullin e 20. Shqipëria vazhdon që të bëjë progres. Tirana po angazhohet që të anëtarësiohet në Bashkimin Europian dhe mund ta inkurajojmë vendin ballkanik, që të ecë në këtë drejtim. Inkurajoj kryeministrin Rama që të vijojë me reformat. Duam që të mbyllim edhe kapituj të tjerë me Shqipërinë brenda Presidencës sonë”, u shpreh ministri i Jashtëm irlandez.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përshëndetur mbylljen e ndërmjetme të Kapitullit 20 në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë një hap tjetër vendimtar drejt integrimit.

Ai theksoi se ky është kapitulli i katërt që mbyllet brenda pak muajsh, ndërsa nënvizoi synimin për të përshpejtuar më tej ritmin e negociatave.

Rama theksoi se progresi i Shqipërisë drejt BE-së nuk duhet të matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultatet e prekshme të arritura.

Ai falënderoi presidencën irlandeze, komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ekipin e saj, si dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së për besimin dhe angazhimin në procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Sot, Shqipëria ka hedhur një hap tjetër vendimtar drejt vendit të saj të merituar në BE, me mbylljen e ndërmjetme të Kapitullit 20. Ky është kapitulli i katërt që mbyllet brenda pak muajsh.

Ne duam të bëjmë dyfishin! Të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët, për ta “tundur“ këtë shtëpi dhe për ta bërë realitet këtë objektiv.

Progresi nuk matet thjesht me kapitujt e mbyllur, por me reformat e realizuara për fuqizimin e institucioneve dhe me rezultatet e prekshme të arritura.

Falënderimet shkojnë për presidencën irlandeze dhe nuk ka asnjë dyshim për Marta Kos dhe ekipin e saj, por edhe për të gjitha vendet anëtare, për besimin dhe angazhimin. Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, por jemi gati për t’ia dalë“, tha Rama.

Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, në fjalën e saj në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg, deklaroi se Shqipëria është kryesuese e progresit për në BE.

Ajo theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është në BE.

“Ne po përgatitemi për një Bashkim Europian më të gjerë. Ne po hedhim hapat e nevojshëm që të bëjmë këtë objektiv, realitet. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Me ju zoti kryeministër, po ecim përpara drejt këtij synimi”, tha Kos.