... Nami.al

Atentati i dështuar në Lezhë, zbardhen detajet e planit për ekzekutimin e objektivit

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i policisë së Lezhës, ku tre persona të armatosur u arrestuan gjatë ditës së djeshme nën dyshimin e përgatitjes së një vrasjeje. Të arrestuarit në kuadër të këtij aksioni janë shtetasit Vincessk Piroli, Kristian Ymeri i njohur si “Shkambi”, si dhe Elden Tarja.

Sipas të dhënave hetimore, goditja ndaj objektivit ishte planifikuar të kryhej gjatë orëve të mëngjesit, por ekzekutimi i planit dështoi për shkak se autorët e dyshuar nuk arritën të identifikonin personin që kishin në shënjestër. Gjatë veprimeve në terren, policia sekuestroi edhe një motomjet të vjedhur, i cili dyshohet se do të përdorej nga autorët për t’u larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Lezhës për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit, sigurimit të kushteve për të kryer vrasje, si dhe trafikimit të mjeteve motorike.

Nga ana tjetër, interes për dosjen ka shfaqur edhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila mund të marrë në dorëzim hetimet për të verifikuar nëse të arrestuarit vepronin si grup i strukturuar apo si një rrjet vrasësish me pagesë.