... Nami.al

“Nuk ke qenë transparent”, Mazniku replikon me Braçen: Reforma Territoriale ka probleme, por është e domosdoshme

Deputeti i PS Erion Braçe ka kundërshtuar ndarjen administrativo-territoriale të propozuar nga mazhoranca. Nga foltorja në Kuvend, Braçe tha se kjo reformë ndryshon jetët e qytetarëve në 15 bashkitë e planifikuara për tu shkrirë dhe se i shërben vetëm interesave politikë.

“Reforma në këtë nivel është e domosdoshme, ndërkohë ky që kemi përpara është një ligj që vizaton një hartë të re administrativo-territoriale. Harta e provuar shumë herë është e paqëndrueshme dhe, si reformë, tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar disa herë se harta është produkt i mundësive politike, më troç, e votave, shumicës që krijojnë. Ne, me këtë ligj, ndryshojmë jetët e njerëzve në 15 bashki. Ndryshojmë dhe jetët në bashki të tjera që po i përthithin. Kaq me lehtësi e marrim ne?”, tha Braçe.

Braçe iu drejtua dhe bashkëkryetarit të komisionit të reformës territoriale, Arbian Mazniku, të cilit i tha se nuk ka qenë transparent me publikun dhe pjesa më e madhe e kompetencave që kanë sot bashkitë, janë formale.

“I referohesh kompetencave të bashkive dhe fakti që nuk i kanë përmbushur e nuk kanë ofruar shërbime. Nuk ishte korrekt. 46 kompetenca kanë bashkitë. Një pjesë e madhe janë formale. Këto kompetenca u transferuan pa buxhet ose me buxhet të pamjaftueshëm, referuar vetë vlerës së përfituar nga çmimet”, tha Braçe.

Mazniku i replikoi duke thënë se kjo reformë është e domosdoshme pavarësisht se ka akoma aspekte ku mund të ndërhyhet për të përmirësuar shërbimet apo qasjen nga bashkitë.

“E vlerësoj debatin që kemi bërë në raport me nevojën që kemi për një reformë vlerësore, që mos të ketë vetëm hartën, por dhe kompetencë, rajonalizim. Arsyet që e pamundësuan kishin të bënin me një qëllim sipëror, tentativën e qëndrueshme të mazhorancës për të gjetur një mundësi kompromisi me opozitën.

Gjendemi në një pikë në të cilën ose kjo reformë humbet dhe nuk ia dalim dot, ose ia dalim nëpërmjet këtij mekanizmi që kemi sot. Ka disa funksione të cilat sot bashkitë nuk i kanë. Ose nuk kanë mundësinë për t’i ushtruar. Bashkitë nuk kanë pengesë as nga ligji e as nga qeveria për t’i ushtruar”, tha Mazniku.