Policia Rrugore e Tiranës ka proceduar penalisht 3 persona të cilët janë filmuar teksa bllokonin autostradën Tiranë-Durrës pasi po lëviznin me një kolonë makinash.
“Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, që shfaqte këtë sjellje të kundërligjshme në autostradën “Tiranë-Durrës”, u ndërmorën masa të menjëhershme, si procedimi në gjendje të lirë, i 3 prej shtetasve që shfaqen në pamje, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, si dhe sekuestrimi i automjeteve që ata drejtonin dhe masa administrative përkatëse sipas kodit rrugor. Veprimet vijojnë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, të gjithë autorët e kësaj sjellje të kundërligjshme që shkaktoi kaos në qarkullim dhe u bë pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës”, tha policia.
Procedimi është vetëm një prej mijëra masave të marra përgjatë fundjavës për kundërvajtësit rrugorë.
Njoftimi i Policisë
Në fokus të planeve të posaçme të masave, të ndërmarra javën e kaluar dhe gjatë fundjavës, ishin evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve në efektin e alkoolit, që përdorin celularin dhe/ose nuk vendosin rripin e sigurimit/kaskën mbrojtëse.
Si rezultat i monitorimit konstant, gjatë kësaj periudhë u arrestuan/proceduan penalisht 32 shtetas, u bllokuan 48 mjete dhe u vendosën 13 522 masa administrative, ndër të cilat:
– 8818, për ndalim dhe qëndrim të gabuar;
– 1243, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve;
– 602, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
– 487, për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit;
– 66, për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit;
– 26, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Në këtë kuadër, pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, që shfaqte këtë sjellje të kundërligjshme në autostradën “Tiranë-Durrës”, u ndërmorën masa të menjëhershme, si procedimi në gjendje të lirë, i 3 prej shtetasve që shfaqen në pamje, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, si dhe sekuestrimi i automjeteve që ata drejtonin dhe masa administrative përkatëse sipas kodit rrugor. Veprimet vijojnë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, të gjithë autorët e kësaj sjellje të kundërligjshme që shkaktoi kaos në qarkullim dhe u bë pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Gjithashtu, vijon verifikimi dhe kontrollet e përditshme ndaj mjeteve të transportit publik dhe ndaj atyre që transportojnë nxënës, për të parandaluar dhe konstatuar menjëherë shkelje që mund të cenojë sigurinë e pasagjerëve;
Nga Policia Rrugore, vijon monitorimi në terren dhe në hapësirën digjitale, i rasteve të bllokimit të lëvizjes në autostrada dhe/ose akse me fluks të lartë levizjeje, me kolona automjetesh që qarkullojnë për evente festive.
Policia Rrugore e Tiranës apelon në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
