Shqipëria mund të marrë një rol të ri në institucionet e Bashkimit Evropian edhe përpara se të bëhet zyrtarisht anëtare e unionit. Sipas dokumenteve të brendshme të Komisionit Evropian, të siguruara nga “Rapporteur”, po shqyrtohet mundësia që vendet kandidate të mund të caktojnë një komisioner në Bruksel pasi të kenë nënshkruar traktatin e anëtarësimit, por përpara përfundimit të ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare.
Kjo do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së. Komisioneri i një vendi kandidat do të mund të merrte pjesë në mbledhjet e Kolegjit të Komisionerëve për çështje që lidhen me vendin e tij dhe të kontribuonte në diskutimin e politikave evropiane, ndërsa përgjegjësia kolektive dhe autonomia e Komisionit do të ruheshin.
Në dokumentin e Komisionit Evropian thuhet se është e përshtatshme të shqyrtohet mundësia që një shtet në procesin e anëtarësimit të mund të caktojë një komisioner gjatë kësaj periudhe. Një zhvillim i tillë do të ishte historik, pasi deri tani posti i komisionerit ka qenë i lidhur me shtetet anëtare të BE-së.
Propozimi vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po kërkon mënyra për të përshpejtuar integrimin gradual të vendeve kandidate, pa pritur përfundimin e plotë të procesit të anëtarësimit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur turin e saj në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Komisioni pritet të prezantojë më 6 tetor një strategji të re për zgjerimin.
Sipas planit që po shqyrtohet, përfshirja e vendeve kandidate në strukturat evropiane mund të nisë edhe përpara anëtarësimit të plotë. Pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit, vendet mund të marrin pjesë si vëzhguese në Këshillin Evropian, ku mund të përfaqësohen edhe nga drejtuesit e tyre politikë.
Ndërkohë, pas nënshkrimit të traktatit të anëtarësimit, kandidatët mund të dërgojnë edhe vëzhgues në Parlamentin Evropian, duke fituar një përfshirje më të drejtpërdrejtë në proceset vendimmarrëse të BE-së.
Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu zgjerimin gradual të pjesëmarrjes së vendeve kandidate në tregun e përbashkët dhe në programe të ndryshme evropiane. Këtu përfshihen fusha si pagesat në euro, kërkimi shkencor përmes programit “Horizon”, tregu i karbonit, shërbimet publike digjitale, siguria kibernetike dhe projekte strategjike në teknologji dhe energji.
Në dokumentet e Komisionit Evropian, siguria dhe mbrojtja identifikohen si një ndër fushat që duhet të kenë përparësi në këtë proces të integrimit gradual.
Për Shqipërinë, një model i tillë do të nënkuptonte një përfshirje më të madhe në strukturat dhe politikat e BE-së përpara anëtarësimit formal. Megjithatë, bëhet fjalë për një strategji që ende është në fazën e shqyrtimit nga institucionet evropiane dhe jo për një vendim përfundimtar të BE-së.
