Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e intensifikimit të bombardimeve ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit, nëse Washingtoni nuk arrin një marrëveshje që ai e konsideron të kënaqshme.
Në një intervistë 75-minutëshe për revistën TIME, Trump foli për luftën shtatëmujore me Iranin, ekonominë, inteligjencën artificiale, zgjedhjet e mesmandatit dhe të ardhmen e presidencës së tij.
Sipas TIME, lufta me Iranin, të cilën Trump fillimisht e kishte përshkruar si një operacion që do të zgjaste katër deri në gjashtë javë, kishte hyrë në muajin e shtatë në momentin e intervistës.
Revista raporton se konflikti ka ndikuar në çmimet e naftës dhe benzinës dhe ka ushtruar presion mbi ekonominë globale.
Trump lë të hapur përshkallëzimin me Iranin
Sipas TIME, në fund të shtatorit 19 ushtarakë amerikanë ishin vrarë dhe më shumë se 800 ishin plagosur gjatë konfliktit. Revista shkruan gjithashtu se kostoja e luftës kishte kaluar 25 miliardë dollarë që në muajt e parë të saj.
Trump pranoi se konflikti ka ulur rezervat e disa kategorive të municioneve amerikane dhe tha se administrata ka arritur marrëveshje me prodhuesit e mbrojtjes për rritjen e kapaciteteve të prodhimit.
Por Presidenti nuk sinjalizoi domosdoshmërish një ulje të intensitetit të operacioneve. Përkundrazi, TIME shkruan se ai mund të shtojë bombardimet pas zgjedhjeve të mesmandatit nëse nuk arrihet një marrëveshje e kënaqshme.
“Me Iranin, nuk mendoj se mund të kesh ndonjëherë paqe”, deklaroi Trump.
Keqardhje për tre gjyqtarët e Gjykatës Supreme
Një tjetër deklaratë e fortë e intervistës lidhet me Gjykatën Supreme.
Trump tha se ishte penduar për emërimin e Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett, pasi ata kishin votuar kundër qëndrimeve të tij në çështje që lidhen me tarifat, votimin me postë dhe shtetësinë nga lindja.
“U dhashë pozicionin e jetës dhe ata votuan shpesh kundër meje”, tha Trump.
I pyetur për rëndësinë që i jep besnikërisë, ai u përgjigj: “Më pëlqen besnikëria, po”.
Trump gjithashtu nuk përjashtoi shpalljen e një emergjence kombëtare apo përdorimin e Insurrection Act në kontekstin e zgjedhjeve të mesmandatit.
“Nuk po angazhohem për asgjë. Do të shohim si do të zhvillohet në gjykatë”, tha ai.
Zgjedhjet dhe rreziku i një Kongresi të kontrolluar nga demokratët
Intervista zhvillohet ndërsa administrata po përgatitet për zgjedhjet e mesmandatit. TIME raporton se zyrtarë republikanë po përgatiten për mundësinë e humbjes së Dhomës së Përfaqësuesve dhe potencialisht edhe të Senatit.
Një ndryshim i kontrollit të Kongresit mund të hapte rrugën për hetime, thirrje për dëshmi dhe seanca parlamentare ndaj administratës.
“Ata ndoshta do të më ndjekin mua dhe unë do t’i ndjek ata”, tha Trump.
Megjithatë, Presidenti i hodhi poshtë sondazhet e pafavorshme dhe tha se synon të angazhohet në fushatë për kandidatët republikanë.
Sipas TIME, këshilltarët e tij po përgatisin një seri intensive aktivitetesh në dhjetëra zona elektorale konkurruese.
Shtëpia e Bardhë dhe trashëgimia
Një pjesë e konsiderueshme e intervistës i kushtohet edhe transformimeve fizike që Trump po i bën Shtëpisë së Bardhë: një platformë e re për helikopterët, ndryshimet në Rose Garden dhe ndërtimi i sallës së re të ballove.
Trump i përshkruan këto ndërtime si pjesë të trashëgimisë së tij.
“Shtëpia e Bardhë është një simbol shumë i veçantë. Është simbol i Amerikës. Është simbol i madhështisë sonë”, tha ai.
Dhe kur TIME e pyeti se çfarë do t’i mungonte më shumë pasi presidenca e tij të përfundonte, Trump dha një përgjigje të shkurtër:
“Kjo dhomë e bukur”.
