Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur me ceremoni zyrtare në Kryeministri nga Kryeministri Edi Rama, duke nisur nga Tirana turin e saj në Ballkanin Perëndimor.
Ceremonia e pritjes u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë, ku von der Leyen dhe Rama morën pjesë në ceremonialin zyrtar përpara nisjes së takimit.
Vizita në Tiranë është ndalesa e parë e turit të presidentes së Komisionit Evropian, i cili do të vijojë në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Ndërkohë, ceremonia në Kryeministri u zhvilloua teksa në bulevard një grup qytetarësh ka nisur më herët protestën e tij të përditshme, me synimin që zëri i tyre të dëgjohet edhe gjatë pranisë në Tiranë të shefes së Komisionit Evropian.
Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, von der Leyen do të zhvillojë gjatë qëndrimit në Shqipëri takime me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama.
Në qendër të vizitës janë hapat e ardhshëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe integrimi gradual në strukturat e Unionit. Procesi mbështetet edhe përmes Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Von der Leyen do të vizitojë gjithashtu shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, të rindërtuar me financim të BE-së pas dëmtimeve të tërmetit të vitit 2019.
Pas Shqipërisë, presidentja e Komisionit do të udhëtojë të enjten drejt Kosovës dhe më pas Malit të Zi, ndërsa të premten turi do të përfundojë në Maqedoninë e Veriut.
