Tensione dhe përplasje janë regjistruar këtë pasdite mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, të cilët nuk lejojnë protestuesit t’i përcjellin presidentes së Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, mesazhet e protestës 123 ditore në Tiranë.
Zyrtarja e lartë europiane ndodhet në Kryeministri, ku po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit dhe për t’i mbajtur ata jashtë perimetrit të sigurisë të ngritur në zonën përreth Kryeministrisë.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, protestuesit kanë lëshuar thirrje kundër Policisë së Shtetit dhe kryeministrit Edi Rama.
“Polici e Gysit”, “Polici e krimit”, “Arrestoni Ramën” dhe “Turp” kanë qenë disa prej thirrjeve të protestuesve.
