... Nami.al

“Protestat u nxitën nga emri i Kushnerit”, Rama flet për Sazanin dhe Zvërnecin: Investimi më i madh në Europë

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel pjesëmarrës në samitin e Turizmit të organizuar nga EuroNews. Në diskutime, kreu i qeverisë vendosi në dukje rritjen e Shqipërisë në sektorin turistik dhe interesimin e lartë të vizitorëve për natyrën shqiptare.

Kryeministri foli dhe me shifra për rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga viti në vit dhe jo vetëm evropianë, por dhe nga kontinente të tjera.

“Synimi ynë është bota. Po punojmë, por ajo çfarë kam mësuar nga e gjithë kjo betejë, për të ndryshuar emrin duhet të ndryshosh vetveten. Një prej vendeve më të sigurta në Evropë. Cilësia e diellit është shumë më e lartë se e Brukselit. Kemi ushqim të shijshëm, njerëz mikpritës dhe në një hapësirë të vogël, dete, lumenj, male të mrekullueshme. Ka shumë larmi, saqë brenda 1 jave mund të përjetosh kaq shumë gjëra. Jemi shumë të lumtur që shohim kaq shumë turistë që mbërrijnë.

Po zbulojmë që të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues, numëronim 2 mln turistë dhe kjo shifër përfshinte edhe zyrtarët që bënin numërimin, se për çdo zyrtar që hynte e dilte, shënohej apo ishte pjesë e kësaj shifre. Paraardhësi im ishte turist kur u kthye në Shqipëri. Vitin e kaluar përfunduam me afro 12 mln të huaj, jo vetëm evropianë, japonezë, amerikano-latinë, australianë, kinezë, izraelitë, nga Lindja e Mesme”, tha Rama.

Kryeministri foli dhe për investimet duke treguar për ngritjen e aeroporteve të reja nga veriu në jug të Shqipërisë, për të cilët ka ende punë që duhet bërë për t’i kthyer në funksionalë.

“Ne nuk kemi infrastrukturën më të mirë në Evropë. Kemi një aeroport që për të 5-tin vit radhazi është me rritjen më të shpejtë në Evropë. I kemi lënë fqinjët për të 6-tin vit në shifra absolute. Tani do të hapim një aeroport të ri në Vlorë, po punojmë për një aeroport të tretë në jug, që do të jetë sezonal, ndërkohë që një i 4-t është në zonën malore, por s’po funksionon siç donim. Ne do të kemi dhe një aeroport për flamingot.

Shqipëria është vendi i shqiponjave. Nëse shqiponjat mund të fluturojnë të sigurta, ashtu dhe njerëzit. Në Shqipëri kemi një aeroport mbresëlënës që funksionon në çdo orë. Në një nga ditët e gushtit, arriti në 329 fluturime brenda 24 orëve”, tha Rama.

Rama në për Sazanin dhe Zvërnecin: Sjellim investimin më të madh në Europë

Rama u shpreh se vendi po tërheq marka të njohura hoteliere dhe investime të mëdha, duke synuar një turizëm të nivelit të lartë.

Ai përmendi projektin e Atlantis dhe investimin e mundshëm deri në 6 miliardë euro në zonën mes Sazanit dhe Zvërnecit.

“Po investojmë, për të sjellë investues që sjellin më lukses në botë. Sot kemi çdo markë hoteliere, 10 vite më parë ishte e pamundur. Tashmë është një histori krejt ndryshe. Në projektin e madh, që presim ta çojmë përpara me ndikimin në mjedis. Është Atlantis, që do jetë i pari në kontinentin tonë. Të duhet të përçosh një mesazh tjetër, që nuk vend nuk është ai që dëgjoni. Shqipëria është vendi me normën më të ulët të vjedhjeve në Europë, Britania është e para. Ky turist përçon mesazhin, ajo se çfarë ka ndodhur në këto vite të fundit, ka ndryshuar perceptimin. Nuk jemi më njolla e zezë e Europës, por jemi perla e vogël që ndriçon. Ne kemi po ashtu edhe kompani shqiptare, që janë në kushtet që të bëjnë hapin që po flasim, për një turizëm elitar, po me hotele mjaft luksoze të nivelit të lartë. Ne jemi një vend i vogël në zemër të Europës, ne duam që të jemi një copëz e vogël që shkëlqen në zemër të Europës. Sot ne jemi në përpjekje për të sjellë investimin më të madh në Europë, prej shumë vitesh, që komunikuar mes ishullit të Sazanit, dhe gadishullit të Zvërnecit mund të arrijë deri në 6 miliardë, sepse jemi hapur si vend, dhe se Shqipëria ka kushtet për të punuar me investuesit më të mëdhenj”, tha Rama.

Rama tha gjithashtu se interesi i investitorëve nga Katari dhe dhëndrit të Donald Trump lidhet, sipas tij, me potencialin turistik të Shqipërisë dhe jo me zhvillimet politike në SHBA. Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet të kapërcejë stereotipet e së kaluarës dhe të fokusohet te zhvillimi, inovacioni dhe mbrojtja e mjedisit.

“Dhëndri i Donald Trump së bashku me kompani nga Katari e pa shumë tërheqëse që të investonte në Shqipëri. Biseda ka nisur në kohën kur nuk ishte e sigurt nëse Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë, dhe nuk ka fare të bëjë me këtë, ka të bëjë me Shqipërinë e zhvilluar në aspektin turistik. Mënyra se si po zhvillohemi sot, nuk duhet të mbetet te stereotipet. Askush nuk e di se sa e ndotur është ajo lagunë dhe se sa problem kemi me të gjitha llojet e pemëve në atë zonë. Me sfidat që hasim sot duhet të jemi krijues dhe novatorë”, shtoi ai.

Rama foli dhe për protestat në Tiranë duke thënë se krijimi i burimeve të reja të të ardhurave është në të mirë të qytetarëve dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës. Kryeministri tha se qeveria ka reflektuar dhe për këtë po ndërton një platformë “Pasqyrë Albania”, që do të shërbejë për transparencën e projektit si dhe për administrimin e ankesave të qytetarëve.

“Na duhet që të merremi me nevojën e vendit që të ketë një jetë të mirë, rroga të larta, shërbime më të mira, një natyrë më të mirëruajtur. Këtë e bëjmë me të ardhura. Këto të ardhura vijnë nga investimi dhe krijimi i burimeve të reja. Ende nuk kemi vendosur të ndërtojmë bombë atomike, por gjëra të thjeshta. Prandaj duhet të kujdesemi për potencialin. Është ideologji kur thua ose zhvillimi ose konservimi. Unë them që këto mund të bashkëbisedojnë dhe të funksionojnë krah për krah, duke qenë të aftë për të nxjerrë më të mirën prej tyre.

Fakti që kemi protesta është shumë mirë. Kur protestat ishin në fillimet e tyre, ishte e qartë se shqiptarët duhet të përcillnin mesazhin. Ne ishim me protestues në biseda private, se më dërgonin mesazhe, pashë atje njerëz që ishin votuesit tanë. Dolëm nga kjo me një reflektim të ri se çfarë kishte për ne. Mes të tjerash, dolëm me pasqyrën inteligjente dhe për pak ditë do të kalojmë këtu dhe kjo do të fillojë duke shfaqur të gjitha dokumentet, proceset e çdo të vërtete për këtë projekt. Kjo pasqyrë do të shërbejë për kërkesat që qytetarët kanë për qeverinë”, tha Rama.

I pyetur nga moderatorja përse duhet të investojë në një situatë që mund t’i çojë në perceptim negativ, Rama tha:

 “Askush tjetër s’është dhëndri i Donald Trump-it. Kështu që askush tjetër nuk rrezikon që të gjendet nën projektorin e të majtëve, demokratëve, gazetarëve, liberalëve, etj., etj., që mezi presin që të gjejnë një arsye për të luftuar me Trump-in, në Europë, Amerikë, Tokë apo Hënë”.

Sipas tij, interesi për investimin në Shqipëri nuk lidhet me politikën apo me Donald Trumpin, por me mundësitë që ofron vendi për investime të mëdha.

“Arsyeja reale pse kanë ardhur s’është politike, nuk lidhet me Trump-in, por me faktin që dhëndri i Trumpit së bashku me një kompani të madhe nga Katari, e pa shumë tërheqëse të investonte në Shqipëri. Biseda ka nisur kur nuk ishte akoma e qartë nëse Trump do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg”, deklaroi kryeministri.